Serbia s`do të mund ta pengojë Kosovën drejt KE-së, thonë analistët
Lajmi i Fundit

Serbia s`do të mund ta pengojë Kosovën drejt KE-së, thonë analistët

Kosovare Gashi/ Radio Kosova

Fushata lobuese e Serbisë për tërheqjen e njohjeve ndaj Kosovës, nuk do të ketë ndikim të madh në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për shkak të largimit të Rusisë nga kjo organizatë. Kështu thonë për Radio Kosovën njohës të rrethanave politike në vend. Ata theksojnë se është momenti i duhur që vendi ynë të aplikoj për anëtarësim edhe në Organizata të tjera ndërkombëtare.

Që nga shpallja e pavarësisë, Serbia ka lobuar kundër Kosovës për të ndikuar në mosnjohjen e pavarësisë por edhe për tërheqjen e njohjeve të saj. Njohës të rrethanave politike më vend, vlerësojnë se Serbia njësoj do të veprojë edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Artan Muhaxhiri ka thënë për Radio Kosovën, se megjithëse Serbia do të tentojë t’a pengoj vendin tonë, fuqia e saj është zbehë për shkak edhe të përjashtimit të Rusisë nga ky Këshill.

 “Aktualisht pasi Rusia është në një gjendje të tmerrshme sa i përket imazhit ndërkombëtar, edhe ky është një dobësim i fuqisë lobuese të Serbisë. Për këtë arsye edhe ndikimi i saj në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nuk mund të jetë aq i madh sikurse Rusia të ishte në gjendjen e saj të para luftës në Ukrainë.”

Edhe analisti tjetër politik Blerim Burjani vlerëson për Radio Kosovën se ndikimi i Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është i ulët. Burjani ka potencuar se është momenti i duhur që Kosova të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.

“Mendoj që është situatë pozitive dhe po mbretëron klimë pozitive për shkak të rrethanave të krijuara. Pra, Rusia nuk ka fuqi dhe mbështetje në organizatat ndërkombëtare. Prandaj mendoj që është situatë ideale që Qeveria e Kosovës dhe partitë politike në vend të kenë konsensus dhe të kërkohet anëtarësim edhe në organizata tjera që kanë peshë ndërkombëtare dhe të fuqishme.”

Këshilli i Evropës është organizatë e shteteve evropiane e themeluar me 5 maj të vitit 1949. Organizata ka 47 shtete anëtare, por aktualisht ka mbetur me 46, pasi Rusia është përjashtuar për shkak të luftës në Ukrainë. Deri me tani, Kosovës për anëtarësim në këtë Këshill, i kanë dhënë mbështetje disa nga shtetet me të fuqishme anëtare siç janë Gjermania, Anglia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e të tjera.


MË SHUME NGA Lajmi i Fundit