Bislimi: Serbia nuk ishte konstruktive në dialog
Jeton Musliu / RTKlive
Zëvëndëskryeministri Besnik Bislimi, përmes një postimi në Twitter, është deklaruar për dështimin e takimit të radhës, Kosovë- Serbi në Bruksel.
Ai ka thënë se konstruktiviteti dhe kreativiteti i palës kosovare ka qenë i nevojshëm dhe i dobishëm, por jo edhe i mjaftueshëm
“Përkundër pritjeve dhe angazhimit, Serbia sërish nuk ishte konstruktive në takimet e djeshme në Bruksel”, deklaroi Bislimi, i cili është edhe shef i ekipit negociator i Kosovës.
“Zgjedhja për pengimin përmes pjesëmarrjes si strategji parësore po rezulton efikase në parandalimin e progresit”, tha ai.
“Konstruktiviteti dhe kreativiteti nga ana jonë është i nevojshëm dhe i dobishëm, por me sa duket jo i mjaftueshëm”.
Ai ka falënderuar edhe ndërmjetësin e BE-së, Miroslav Laçjak, për interesimin e këtij të fundit gjatë negociatave.
“Dua të falënderoj Miroslav Lajçak për interesimin dhe përpjekjet e tij të sinqerta drejt përfundimit të suksesshëm të negociatave për targat dhe energjinë”, ka thënë Bislimi.
Një ditë më parë në Bruksel, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak takoi ndaras kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq.
Ai u përpoq të gjejë një zgjidhje për çështjen e targave, por takime këto që përfunduan pa ndonjë marrëveshje.
Përfaqësuesi i BE-së për dialog pas takimeve që ka pasur me Bislimin dhe Petkoviqin ka bërë të ditur se nuk është arritur marrëveshje për çështjen e targave të automjeteve, por ka pasur përparim në çështje tjera, si ajo për energjinë.