Sonte në RTK, finalja e madhe e Eurovizionit
Foto: Eurovision.tv
Lajmi i Fundit

Sonte në RTK, finalja e madhe e Eurovizionit

Jeton Musliu / RTKlive

Si çdo vit, kënga evropiane në RTK. Me fillim në orën 21:00, Eurovizioni vjen në Natën Finale me 25 këngë në garë.

25 këngë  që përfaqësojnë 25 shtete, do të paraqiten në skenën finale të Eurovizionit, që sonte mbahet në Torino të Italisë.

Këngë pothuajse nga të gjitha rrymat, do të paraqiten para publikut në finalen e madhe.

Dhjetë këngë nga 17 sa konkuruan në natën e parë gjysmë finale dhe 10 të tjera nga 18 sa ishin në natën e dytë gjysmë finale, i bashkohen sonte 5 këngëve që automatikisht e kanë të siguruar finalen e madhe.

Kështu, Italia, Franca, Gjermania, Spanja dhe Mbretëria e Baahkuar, sonte do të jenë në mesin e 20 vendeve që janë përzgjedhur nga dy gjysmë finalet e Eurovizionit, të mbajtura me 10 e 12 maj.

Tashmë është hedhur edhe shorti për radhitjen e këngëve. 

Finalja e madhe hapet sonte me këngëtarin nga Republika Çeke, pasuar nga Rumania, Portugalia, Finlanda, Zvicra,Franca, Norvegjia, Armenia, Italia, Spanja, Holanda, Ukraina, Gjermania, Lituania,Azerbajxhani, Belgjika, Greqia, Islanda, Moldavia,Suedia, Australia, Mbretëria e Bashkuar, Polonia, Serbia dhe Estonia.

Shqipëria e cila konkuroi në natën e parë gjysmë finale, nuk arriti të kualifikohet për në finalen e madhe. Moskalimi i Ronela Hajatit me këngën “Sekret”, u cilësua si befasi nga shumë adhurues të Festivalit Evropian, të cilët ishin të sigurtë se do të kalojë.

Nga vendet e Ballkanit, këtë vit për në natën finale, janë kualifikuar vetëm Serbia, Rumania e Greqia, por jo edhe Sllovenia, Kroacia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Bullgaria, ndërkohë Bosnja e Hercegovina ka vite që për shkaqe financiare të vështira të transmetuesit publik, nuk merr pjesë në garën evropiane të këngës.

Kosova nuk merr pjesë ende në Eurosong, për shkak se RTK vazhdon të mos mbetet jo anëtare me të drejta të plota e Unionit të Transmetuesve Publik Evropian (EBU). Megjithatë, si çdo vit, RTK do ta transmetojë edhe sonte finalen e madhe.


MË SHUME NGA Lajmi i Fundit