Krasniqi kërkon përkrahje në Zvicër: Së bashku e transformojmë Kosovën
Foto: PDK
Lajme

Krasniqi kërkon përkrahje në Zvicër: Së bashku e transformojmë Kosovën

Blerim Halimi /RTKlive

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka qëndruar sot në Aargau të Zvicrës, ku kërkuar nga mërgata përkrahje më të madhe për partinë që drejton.

Krasniqi ka marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Degës së PDK-së në Zvicër, ku tash e disa muaj është punuar në themelimin e nëndegëve të kësaj partie kudo ku jetojnë shqiptarët në shtetin helvetik.

“Rikthimi ynë në mërgatë nuk është rikthim i as përkohshëm e as sezonal. Është rikthim reformues, sepse ne kemi nevojë për njëri-tjetrin. Sot nuk po përfundon asgjë. Po përmbyllet një punë e jashtëzakonshme për të cilën dua ta falënderoj personalisht dhe individualisht secilin që ka kontribuar që nga dita e parë që ka filluar ky angazhim e deri sot, të gjithë juve që jeni organizuar anë e mbanë Zvicrës, nëpër të gjitha kantonet dhe të gjithë juve që keni ardhur sot si delegatë, për të përfaqësuar vullnetin politik të kolegëve tuaj që ju kanë deleguar këtu”, ka thënë Krasniqi para delegatëve të Degës së PDK-së në Zvicër.

Tutje gjatë fjalimit të tij, i pari i PDK-së ka thënë se mërgatën dhe origjinën e Partisë Demokratike, para se t’i lidhë politika, i ka lidhur kauza e shenjtë për liri dhe kontributi e rrugëtimi i përbashkët në ditët e lavdisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Qysh para gati 30 vitesh tashmë, pikërisht këtu në Zvicër, liderët tanë Hashim Thaçi e Kadri Veseli, bashkë me ju e shumë atdhetarë të tjerë si ju, kanë qenë duke punuar ditë e natë, për ta ngritur UÇK-në e përmes saj, lirinë e Kosovës. Prandaj, ne nuk harrojmë të shprehim respektin e thellë dhe mirënjohjen e përjetshme për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm në arritjen e lirisë dhe ngritjen e shtetit tonë të pavarur”, ka nënvizuar Krasniqi.

Ai po ashtu ka falënderuar mërgatën në Zvicër që ndër vite ka qenë në përkrahje të ekonomisë së Kosovës, por që e ka dhënë kontributin e saj edhe në mënyra tjera si në sport, kulturë e fushta tjera përmes emrave të njohur si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami etj.

Ai ka ftuar mërgatën që nën vlerat dhe siglën e PDK-së ta japin kontributin e tyre për përspektivën e Republikës së Kosovës.  

Ndërkaq, sipas njoftimit të PDK-së, punime e Kuvendit të Degës i nderoi me praninë e saj edhe deputetja e Parlamentit të Konfederatës së Zvicrës, Marianne Binder-Keller. Ajo tha se organizimi kaq i madh i Partisë Demokratike të Kosovës në Zvicër i shërben bashkimit të qytetarëve dhe organizimin e tyre në aktivitete të ndryshme shoqërore.

Në fund me shumicë votash, kryetar i Degës së PDK-së në Zvicër u zgjodh Ragip Xhaka, një aktivist i kahershëm i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh babai i dy futbollistëve më të mirë shqiptarë, Granit e Taulant Xhaka.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa