G7: Asnjëherë nuk do t`i njohim kufijtë e ndryshuar të Ukrainës
Lajmi i Fundit

G7: Asnjëherë nuk do t`i njohim kufijtë e ndryshuar të Ukrainës

Bardhyl Bajrami / RTK

Vendet më të industrializuara të botës, të mbledhura në kuadër të grupit që njihet si G7, kanë thënë se asnjëherë nuk do t’i njohim kufijtë e ndryshuar të Ukrainës si rezultat i invazionit rus.

Ndërsa presidenti i Finlandës, Sauli Ninisto i ka telefonuar presidentit rus Vladimir Putin dhe e ka njoftuar personalisht për aplikimin në NATO. Sipas lajmit të fundit, senatorë amerikanë, përfshirë liderin republikan Miç MekKonëll, kanë vizituar Kievin dhe janë takuar me presidentin ukrainas Volodymir Zelenski.

Disa nga liderët e vendeve më të industrializuara në botë, të tubuar rreth grupit të njohur se G7 përmes një deklarate të përbashkët të ministrave të jashtëm të këtyre vendeve, kanë thënë se asnjëherë nuk do t’i njohin kufijtë e ndryshuar të Ukrainës si rezultat i invazionit rus. Ky grup gjithashtu ka thënë se këto vende do t’i zgjerojnë edhe më sanksionet kundër Rusisë dhe se do të vazhdojnë ta furnizojnë Ukrainën me armatim. Në deklaratë është përmendur edhe Kina e cila paralajmërohet kundër minimit të sanksioneve të vendeve perëndimore kundër Rusisë, apo për ndonjë ndihmë të drejtpërdrejtë eventuale për Rusinë. Kina është përpjekur që të mbetet neutrale duke thënë të shpresojë për një zgjidhje paqësore të konfliktit por ka thënë gjithashtu se Rusia është një partner i madh tregtar i saj. Në grupin G7 bëjnë pjesë Britania e Madhe, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Italia dhe Japonia.

Ndërkohë, presidenti i Finlandës Sauli Niinisto, i ka telefonuar sot presidentit rus Vladimir Putin për t’ia kumtuar personalisht lajmin se vendi i tij, ditëve në vijim do të aplikojë për anëtarësim në NATO. Ndërsa mediat në Rusi kanë shkruar për atë se çfarë i ka thënë presidentit të Finlandës presidenti rus Putin.

Putin i ka thënë se aktualisht nuk ka ndonjë kërcënim për sigurinë e Finlandës dhe se largimi nga statusi neutral i vendit do të ishte një gabim. Ky ndryshim do t’i dëmtonte marrëdhëniet mes dy vendeve, ka thënë presidenti Putin.

E sa i përket situatës në terren, forcat ukrainase kanë rimarrë nën kontroll qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, që ndodhet në lindje të vendit, Kharkiv. Ky qytet ishte quajtur Kështjellë, me plot meritë.


MË SHUME NGA Lajmi i Fundit