Peja fiton në `Karagaç` ndaj Trepçës, e ngushton serinë gjysmëfinale
Blerim Halimi / RTKlive
Peja ka shënuar fitore ndaj Trepçës me rezultat 72:66 në ndeshjen e tretë të serisë gjysmëfinale të “play-off”-it, që u zhvillua në palestrën "Karagaçi" në Pejë.
Pejanët ishin më të mirë në çerekun e parë dhe atë të fundit (23:12, 17:9), derisa mitrovicasit i mbyllën në favor të tyre çerekun e dytë dhe tretë (10:22, 22:23), por që nuk ishin të mjaftueshëm për ta siguruar fitoren e cila do t'i konfirmonte si finalistë. Tash rezultati në seri është 2:1 për Trepçën, derisa ndeshja e radhës sërish do të zhvillohet në Pejë. Në finale shkon skuadra që shënon tri fitore.
Loja ishte me kthesa në rezultat dhe dramatike deri në fund, derisa për shkak të problemeve ndërmjet dy tifozerive, gjyqtarët u detyruan ta zbrazin palestrën.
Në fakt, loja u ndërpre për 40 minuta, pasi fillimisht një tifoz hyri në parket dhe preku pas koke lojtarin e Trepçës, Rodney Purvis. Kjo shkaktoi më pas trazira në tribunat e palestrës ndërmjet dy tifozerive.
Te Peja u dalluan Calvin Godfray me 15 pikë e 15 kërcime dhe Darius Washington me 19 pikë e pesë asistime, kurse te Trepça u dalluan Drilon Hajrizi dhe Rodney Purvis me nga 15 pikë.























