Vedat Muriqi kontribuon me gol në fitoren e madhe të Mallorcas
Blerim Halimi / RTKlive
Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi vazhdon formën e mirë në La Liga. Futbollisti prizrenas realizoi gol në fitoren e sotme të skuadrës së tij, Mallorca në përballje me Rayo Vallecano, me rezultat 2:1.
Muriqi e gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 13-të, duke e kaluar skuadrën e tij në epërsi. Më pas, Pathe Ciss barazoi shifrat përkohësisht në minutën e 60-të, teksa fitoren për Mallorcan e siguroi Abdon Prats, në minutën e dytë të kohës shtesë.
Kjo fitore është tejet e rëndësishme për Mallorcan, e cila po lufton për mbetje në elitën e futbollit spanjoll. Aktualisht skuadra e Muriqit është jashtë zonës që dërgon në një rang më të ulët të garave, pasi renditet e 17-ta me 36 pikë, aq sa ka edhe Cadizi që mori një pikë në duel me Real Madridin (1:1).
Në xhiron e 38-të dhe të fundit në La Liga, Mallorca është mysafire e Osasunas, derisa Cadizi luan kundër Alavesit.























