Ministrat e Jashtëm të BE-së zotohen se do ta mbrojnë rajonin
Gjeraqina Tuhina/RTK/Bruksel
( E plotësuar) Rrethanat në rajon dhe sfidat me të cilat vendet e Ballanit Perëndimor ballafaqohen si rezultat i agresionit rus ishin tema të diskutimit gjatë takimit të cilin ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian e zhvilluan së bashku me homologët e tyre nga rajoni.
Kosovën në këtë takim e përfaqësoi ministrja e punëve të jashtme Donika Gërvalla. Sipas burimeve nga ky takim, ministrat evropian kanë nënvizuar rëndësinë që të ketë përparim në dialogun mbi normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Siҫ merret vesh nga burimet e takimit, më së shumti është bërë fjalë për mungesën e sanksioneve kundër Rusisë nga ana e shtetit serb.
Në këtë rrafsh ka folur para gazetarëve edhe ministrja e jashtmë gjermane Anaelan Baerbock, e cila ka nënvizuar rëndësinë që të gjitha vendet e rajonit të vendosin sanksione sepse bëhet fjalë, sipas saj, për vlera të përbashkëta por edhe zgjidhje strategjike që i bëjnë vendet.
Ndërkohë, në një dokument që ishte objekt diskutimi në takimin e ministrave të jashtme thuhet se ndonëse nuk i është kërkuar zyrtarisht, Kosova ka informuar BE-në për përshtatjen e politikës së saj, me ҫfarë, ka shprehur zgjedhjen strategjike dhe përkushtimin ndaj vlerave të përbashkëta evropiane.
Ministrat janë zotuar se do të ndihmojë në mbrojtjen e rajonit nga ndikimi negativ i luftës në Ukrainë, veçanërisht përmes angazhimit politik, ekonomik, financiar dhe social dhe duke forcuar qëndrueshmërinë e partnerëve, veçanërisht në fushën hibride, kibernetike dhe atë të dezinformatave.
Ora 17:35
Kosova pjesëmarrëse në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së (Video)
Po vazhdon mbledhja e ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, takim i rregullt në të cilën po diskutohen rrethanat në rajon në dritë të luftës në Ukrainë si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Ballkani Perëndimor si pasojë e agresionit rus.
Në kuadër të debatit mbi Ballkanin Perëndimor, për diskutim joformal, ministrave evropian iu bashkëngjiten edhe koleget e tyre nga rajoni. Nga Kosova, në këtë takim, merr pjesë shefja e diplomacisë së vendit, Donika Gërvalla.
Pritet që gjatë takimit të nënvizohet sërish rëndësia e përshtatjes së politikave të jashtme me politikat evropiane sidomos për ato shtete që aspirojnë integrimin në BE.
Në këtë rrafsh, ministrat e jashtëm të BE-së, pritet që t’ia bëjnë me dije ministrit serb, se Serbia duhet të përcaktohet në lidhje me sanksionet kundër Ruisisë.
Serbia është i vetmi shtet në kontinentin evropian që nuk ia ka vendosur sanksionet Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.

Ndryshe, gjatë ditës në takimin ministror do vije për të diskutuar edhe ministri i jashtëm ukrainas Dmitro Kuleba. Kjo konsiderohet momenti më i rëndësishëm për takimin e sotëm, marrë parasysh se Koleba merr pjesë për herë të parë në takimin ministror në nivel të BE-së, prej nisjes së luftës në Ukrainë.
Ora 12:44
























