Opozita e kërkon Ligjin për Trustin, sa më parë në Kuvend
BKT
Lajme

Opozita e kërkon Ligjin për Trustin, sa më parë në Kuvend

Fadil Sertolli / RTKlive.com

Pas mbledhjes së rregullt të kryesisë së kuvendit u vendos që seanca e re e kuvendit të mbahet të enjten, më 19 maj, kështu tha Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri kanë kërkuar shqyrtimin më të shpejtë të Projektligjit për Trustin. Derisa Mimoza Kusari Lila, ka treguar pikat që do të diskutohen në seancën e radhës, të dy opozitarët kanë kërkuar me urgjence që të diskutohet në Kuvend për ligjin për Trustin dhe tërheqjen e mjeteve nga ai.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se projektligji i propozuar nga PDK-ja  për tërheqjen e trustit nuk do të mbahet të mbledhjen e së enjtes.

Ai tha se kanë pritur që në këtë mbledhje të kryesisë të trajtohet projektligji i propozuar nga PDK-ja për tërheqjen e trustit, por siç u shpreh ai. një çështje e tillë ende qenka në Komisionin për Buxhet dhe Transfere.

“Ne kërkojmë që komisioni të reagojë sa më shpejtë që është e mundur dhe që ne të procedojmë sa më shpejt për seancën e radhës. Mirëpo, të enjten nuk do të jetë e mundur të trajtohet ky projektligj i shumëpritur nga qytetarët e Kosovës”, tha Tahiri, duke shpresuar që një gjë e tillë te jetë në rend ditë në mbledhjen e radhës.

Nga ana tjetër, edhe shefi i Grupit të Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i ka bërë thirrje deputetëve të pushtetit që ta sjellin në Kuvend projektligjin që ka të bëjë me tërheqjen e mjeteve nga Trusti, si lehtësim ekonomik për qytetarët e vendit.

 Ai tha se deputetët e shumicës e dinë që sa e rëndësishme është tërheqja e mjeteve të Trustit.

“Tema e dytë ka të bëjë me trustin. Kërkesa në kryesi është e qartë; silleni ligjin për trust sa më shpejt në seancë parlamentare, pasi tani deputetët e shumicës e dinë, e kuptojnë se sa e rëndësishme është që kontributdhënësit, të punësuarit t’i tërheqin paratë e tyre në këtë krizë”, tha Tahiri duke shtuar se kjo është kërkesa e AAK-së.

Ndryshe sipas shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila pikat e rregullta të rendit të ditës do të pasohen nga miratimi në lexim të dytë të projektligjit për turizmin, më pas do të bëhet shqyrtimi i projektligjit për policinë ushtarake në FSK dhe shqyrtimi i parë për projektligjin për komisionerin parlamentar për FSK-në.

“Pas përmbylljes së pikave së seancës së re, do të fillohet me vazhdimin e seancës së papërfunduar, me debatin parlamentar për sigurinë të kërkuar nga GP i AAK-së por që është shtyrë për një ditë tjetër”, tha ajo.

Ajo ka treguar se në kryesi po ashtu kanë diskutuar edhe për konstituimin e ekipit për reformën zgjedhore, me ç’rast tha ajo se në mbledhjen e radhës do t’i jenë edhe emrat e anëtarëve që do të marrin pjesë në reformën zgjedhore.


MË SHUME NGA Lajme