Shqipëri, dështon raundi i parë i votimit për Presidentin e ri
/rtsh.al/
Raundi i parë i votimit për Presidentin e ri të Republikës ka dështuar. Kuvendi u mblodh sot (16 maj) në seancë të posaçme parlamentare, por asnjë nga palët nuk ka dorëzuar asnjë kandidat për t’u votuar.
Sikurse kishte deklaruar më parë, maxhoranca nuk dërgoi asnjë emër për votim, duke i hapur rrugë opozitës, por nga ana tjetër ata nuk gjetën dakordësinë për të propozuar kandidatë.
Edhe pse nuk kishte asnjë kandidat për t'u votuar, raundi i parë i votimit konsiderohet i ezauruar, ndërsa nesër (17 maj) pritet të mblidhet Konferenca e Kryetarëve për të caktuar datën për zhvillimin e raundit të dytë të votimit. Raundi i dytë i votimit duhet të zhvillohet brenda 7 ditëve, duke përcaktuar në këtë mënyrë datën 23 maj si afatin e fundit.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve, kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, akuzoi maxhorancën si përgjegjëse për dështimin e raundit të parë të votimit, ndërsa tha se procesi është farsë dhe hipokrit.
Edhe pse i kanë votat e mjaftueshme për të zgjedhur kreun e ri të shtetit, Partia Socialiste ka deklaruar se janë të gatshëm për një emër konsensual, por megjithatë ende nuk është gjetur një dakordësi me opozitën. Më 13 maj, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla me dy prej krerëve të grupeve parlamentare opozitare Mesila Doda dhe Fatmir Mediu, ndërsa kryetari i grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj, shmangu bisedimet.
Kujtojmë se zgjedhja e presidentit kalon deri në 5 raunde votimesh dhe që një kandidat të zgjidhet duhet që në raundin e parë, të dytë dhe të tretë të marrë më shumë se ¾ e votave, ndërsa në raundin e katërt dhe të pestë, zgjidhet me jo më pak se 50% të votave.























