Madhështore, Donjeta Sadiku siguron medalje në Kampionatin Botëror
Blerim Halimi / RTKlive
Boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka arritur sukses historik. Ajo sot ka siguruar medalje në Kampionatin Botëror për seniore që po mbahet në Stamboll, pasi në çerekfinale të kategorisë deri 60 kilogramë e ka mposhtur boksieren nga Tajvani, Shih-Yi Wu, me rezultat bindës 5:0.
Kësisoj, Donjeta është kualifikuar në gjysmëfinale dhe së paku e ka të sigurt medaljen e bronztë, por me potencialin që ka dhe me pak fat, atëherë arritja e saj mund të shkojë përtej të gjitha parashikimeve.
Për Kosovën kjo është medalja e parë serioze në boksin amator që nga anëtarësimi në Federatën Botërore të Boksit.
Medalje të këtij niveli kishin fituar më parë vetëm boksierët e gjeneratës së artë të Prishtinës në vitet 70 e 80-ta, por atëbotë nën petkun e Përfaqësueses së Jugosllavisë.























