ESI: Pranojeni Kosovën në KE, në vend të Rusisë
Jeton Musliu/ RTKlive
Në një deklaratë të titulluar: “Sërish 47? Rusia jashtë, Kosova brenda”, drejtuesit e ESI, Gerald Knaus dhe Kristof Bender, kanë kërkuar që vendimi të merret në takimin e Torinos në Itali më 20 maj.
ESI është Nisma Evropiane për Stabilitet (ESI) e cila sot u bëri thirrje ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, që ta pranojnë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizëm, dhe ta dërgojnë në Asamblenë Parlamentare (PACE).
ESI vlerëson se Kosova, pavarësia e së cilës u konfirmua edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, është rrëfimi i kundërt i Rusisë që së fundi u përjashtua nga KE.
“Ndryshe nga Rusia, Kosova ka shënuar bartje paqësore të pushtetit nëpër zgjedhje të lira”, shkruan në këtë deklaratë.
“Ndryshe nga Rusia, Kosova e pavarur nuk ka pasur asnjëherë të burgosur politikë”.
Për më tepër, autorët e deklaratës nënvizojnë ss ndryshe nga Rusia, Kosova asnjëherë nuk ka nxitur luftra.
Ndër të tjera, autorët vënë në pah se për dërgimin e Kosovës në PACE mjaftojnë dy të tretat e votave, që i bie 31 nga 46 vende anëtare të KE-së.
Kjo pasi 34 prej tyre e kanë njohur Kosovën. Si e tillë përmendet edhe Italia që tani është kryesuese e Komitetit të Ministrave.























