Analistët nuk shohin gatishmëri për vazhdimin e dialogut
Lajme

Analistët nuk shohin gatishmëri për vazhdimin e dialogut

Kosovare Gashi/ Radio Kosova

Njohësit e rrethanave politike në vend nuk shohin gatishmëri as te pala kosovare dhe as te ajo serbe për vazhdimin e dialogut. Sipas tyre, Bashkimi Europian duhet të gjejë forma për t’i nxitur palët për të biseduar, por edhe për të arritur rezultate. Ndërkohë, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pret që para verës të ketë takim ndërmjet kryeministrit kosovar, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, ka thënë se kërkohet përparim në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Ai ka potencuar se pret që para verës të ketë një takim të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por njohësit e rrethanave politike në vend nuk shohin gatishmëri të asnjëra palë për një takim të nivelit të lartë.

Analisti Artan Muhaxheri, ka thënë për Radio Kosovën se Bashkimi Evropian duhet të gjejë forma për t’i nxitur palët që të vazhdojnë dialogun.

“Me këtë gjendje nuk ka asnjë logjik që të vazhdohet me dialogun. Ose duhet të riformatizohet krejtësisht ose duhet gjetur ndonjë formë tjetër për t’i joshur palët për të shkuar në Bruksel dhe për të qenë efektivë. Ne po shohim se po ka disa takime sporadike ndërmjet delegacioneve kosovare e serbe, por nuk po kanë efekt”, ka deklaruar Muhaxheri për Radio Kosovën.

Edhe analisti tjetër politik, Blerim Burjani, nuk  pret që së shpejti të këtë takim ndërmjet kryeministrit kosovar, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq. Ai madje, nuk pret as zgjidhje të përhershme ndërmjet dy vendeve edhe nëse do të ketë ndonjë takim.

“Kosova e ka vetëm një temë, çështjen e të pagjeturve, ndërkaq, Serbia ka temën e asociacionit të komunave. Këto janë dy tema në nivel të kryeministrave. Pra, nuk jam optimist që edhe nëse do të ketë takim, do të arrihet zgjidhje e përhershme. Pra, jemi shumë larg zgjidhjes së përhershme”, ka thënë Burjani për Radio Kosovën.

Sidoqoftë, zyrtarë të Bashkimit Evropian por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës po i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulën në tavolinën e bisedimeve për të gjetur zgjidhje të përhershme ndërmjet dy vendeve.

 

 

 


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa

MË SHUME NGA Lajme