Nagavci: Nga shtatori Kosova e Shqipëria me abetare të përbashkët
Foto: Venera Xhoxhaj/RTK
Lajme

Nagavci: Nga shtatori Kosova e Shqipëria me abetare të përbashkët

Kimete Kasumi/ RTKlive

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, ka marrë sot pjesë në shënimin e festës së Abetares, në Sallën e Sporteve “Karagaq” në Pejë, festë kjo tradicionale e cila organizohet nga kjo ministri. .

Ministrja Nagavci tha se një nga festat më madhështore është festa e Abetares.

“Një nga festat më madhështore është festa e Abetares. Të tillë e bëjnë vogëlushët, nxënësit e klasës së parë, që me entuziazëm po shënojnë përfundimin e mësimit të shkronjave. Edhe më madhështore këtë festë e bëjnë nxënësit nga Shqipëria, Lugina, Maqedonia e Veriut”, tha ajo.

"Secili nga ne kemi kujtime për librin e abetares. Libër që na kujton rilindësit tanë. Ky libër na kujton të gjithë ata që bënë sakrificat më sublime duke e mbrojtur me jetë këtë libër të shenjtë, i cili është arma më e fuqishme në luftën kundër analfabetizmit dhe paditurisë", shtoi Nagavci.

Nagavci ka theksuar se nga shtatori nxënësit do të kenë abetaren e përbashkët Kosovë-Shqipëri.

“Ne në ministri të Arsimit bashkë me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë, me ministren Kushi, jemi kujdesur të ofrojmë abetare sa më cilësore. Dhe nga shtatori fëmijët shqiptarë do ta kenë abetaren e re të përbashkët Kosovë-Shqipëri, e cila do të jetë unike dhe cilësore”, tregoi Nagavci.

Nxënësit i ka uruar edhe nikoqiri i kësaj ngjarje, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxhiri.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa