Rrëfimi për një proces gjyqësor që sot merr epilog
Hysni Demaku/ RTK
Në shator të vitit 2020, një person i maskuar kishte hyrë në selinë e veteranëve të UÇK-së dhe kishte dorëzuar një pako me dokumente që përmbanin informacione të gjykatës Speciale, që pretendohej se përmbanin emrat e dëshmitarëve që do të dëshmonin në Gjykatën Speciale.
Personi misterioz që më vonë do të emërtohej nga OVL e UÇK-së si “Rrufeja”, kishte dorëzuar dokumente edhe dy herë të tjera më parë.
Madje një herë tjetër, ai kishte lënë porosi se do të linte edhe CD me informacione.
Krerët e OVL-UÇK-së, me 7 shtator të vitit 2020, ftuan mediet në një konferencë të jashtëzakonshme nga Organizata e Veteranëve të Luftës.
Aty u prezantuan disa dosje të Speciales, të cilat u tha se i kishte sjellë personi anonim.
Edhe dy konferenca të ngjashme u organizuan gjatë muajit të njëjtë, ku u prezantuan dosje të tjera. Për dosjet ishin interesuar edhe hetuesit e gjykatës speciale të cilët i merrnin nga zyrat e veteranëve të UÇK-së.
Nën akuzën se zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, njësitet elite speciale të EULEX-it hynë në zyrat e OVL-UÇK-së dhe arrestuan Hysni Gucatin e Nasim Haradinaj.
Sipas aktakuzës, së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve të mundshëm.
Më 29 shtator e 1 tetor të vitit 2020, ata dolën para gjyqtarit të procedurës paraprake, ku u deklaruan të pafajshëm.
Si dëshmitarë në gjykim ishin paraqitur punonjës të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar të cilët kishin deklaruar se publikimi i dosjeve kishte frikësuar dëshmitarët e Speciales dhe sipas tyre, krejt kjo kishte ndikuar në punën e kësaj gjykate.
Në gjykim ishin ftuar edhe gazetarë të cilët kishin përcjellë konferencën e OVL-UÇK-së dhe pretendohet se kishin publikuar këto dosje.
Mbrojtja e Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt kishte ftuar 10 dëshmitarë, kryesisht veteranë e punonjës të OVL-UÇK-së.
Gjykimi kundër Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt ka zgjatur saktësisht 31 ditë, kurse procedura paraprake 12 muaj e 12 ditë.























