Krasniqi: Liria e popullit tonë nuk është falur, por është fituar nga UÇK
BKT
Foto RTKlive
Lajme

Krasniqi: Liria e popullit tonë nuk është falur, por është fituar nga UÇK

Afet BELA/ RTKlive

(E plotësuar, ora 14:00) Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se Liria e popullit tonë nuk është falur, por është fituar me gjak e sakrificë dhe lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, përballë një agresori pushtues e të pamëshirshëm, i cili ka provuar ta zhbëj identitetin dhe ekzistencën tonë.

"Kjo është e vërteta mbi të cilën na ka mbështetur qytetërimi perëndimor dhe bota demokratike dhe pjesë e kësaj të vërtete janë edhe Hysni Gucati e Nasim Haradinaj. Kjo e vërtetë nuk mund të ndryshohet e as nuk bën të harrohet. Në rrethana e krijuara sot, pas dënimit të tyre nga Gjykata Speciale, bashkëndjejmë me familjet Gucati e Haradinaj. Drejtësisë i kemi besuar dhe drejtësia, pashmangshëm, herëdokur, duhet dhe do ta gjejë rrugën e vet të vërtetë", ka shkruar Krasniqi në Facebook".

Lladrovci shpreson të fitojë drejtësia në shkallën e dytë (E plotësuar)

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, përmes një shkrimi në Facebook, ka reaguar për Aktgjykimin dënues ndaj udhëheqësve të OVL të UÇK-së, Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Ai është shprehur se ky dënim ishte befasues. Por shpresoj të fitojë drejtësia në shkallën e dytë të gjykimit, nuk mund ta besoj se ata kishin faj, është shprehur Lladrovci.

 “Përgjegjësia bie mbi prokurorinë dhe gjykatën rreth dokumenteve, është absurd të dënohen për fajin, pakujdesinë dhe veprën e të tjerëve. Çlirimtarët vazhdojnë të jenë viktima, për fat të keq...Ndjej dhimbje të thellë për këtë padrejtësi ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt!”, ka shkruar ai.

PSD: Kjo Gjykatë është bërë për ta dënuar UÇK-në

(e plotësuar, ora 12:30 )Aktgjykimi dënues ndaj udhëheqësve të OVL të UÇK-së, Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, nuk ka asnjë lidhje me drejtësinë as me të vërtetën, thuhet në reagimin e Partisë Socialdemokrate.

Asnjëra nga këto nuk mund të vijë nga Gjykata Speciale. Kjo Gjykatë është bërë për ta dënuar UÇK-në, thuhet tutje në këtë reagim.

Sipas tyre nëse kjo Gjykatë është e Kosovës, atëherë ajo mundet dhe duhet të shpërbëhet nga institucionet e Kosovës. Nëse nuk është e mundur, duhet ta trajtojmë si invazion institucional.

Haradinaj: Lufta për liri e shtet vazhdon

(e plotësuar, ora 11:50 ) Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, njëherit ndër ish komandantët e UCK-së, ka reaguar pa vendimit të Trupi gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, e cila dënoi Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj dënohen nga me 4 vjet e gjysmë burg.

Haradinaj tha se Lufta për liri e shtet vazhdon. “Sot u dënuan krerët e OVL të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Do i them pak fjalë për Nasimin. Stërgjyshi i tij, Xhemajli i parë, pjesëmarrës në shumë luftëra kundër pushtuesve u vra në Gjakovë te kulla e Abdullah Pashë Drenit, në mbrojtje të Lidhjes së Prizrenit. Gjyshi i tij, Xhemali i dytë, pjesëmarrës në të gjitha luftërat për liri. Bashkëshortja e tij, gjyshja e Nasimit, ishte bijë e Tishukëve, familje e njohur atdhetare në Dukagjin e Kosovë. Babai i tij, Smajl Haradinaj, luftëtar i paepur për të drejtën e shqiptarëve, pjesëmarrës në lëvizjet antijugosllave dhe për bashkim me Shqipërinë, i burgosur politik mbi 20 vjet. Nana Myzaqet, vëllau Naimi, motrat Shqipja e Naimja, bashkëshortja Xhejlanja, e veçanërisht vëllai i vogël Agroni që vuan nga një sëmundje e rëndë, e kuptojnë dhe e ndjejnë peshën e vendimit të sotëm, sepse nuk janë brezi i parë që përballohen me sfida të tilla. Bashkëluftëtarë Hysni e Nasim, qëndroni të fortë. Lufta për liri e shtet vazhdon”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

 

Klinaku: Dënimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt vendim i padrejtë 

Pas shqiptimit të dënimit nga Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, e cila mori vendim që Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj të shpallen fajtor dhe të dënohet me 4.5 vjet burg, ka reaguar Ushtruesi i Detyrës së kryetarit të OVL – UÇK, Faton Klinaku.

Ai tha se e kanë pritur një vendim të tillë për shkak se kjo gjykatë është politike. Ai ka bërë me dije se do të ketë konsultim me shokët nëse do të protestohet ndaj Kuvendit të Kosovës. "Prej fillimit në fillim na kanë thënë se të mos protestohet për shkak se më kanë thënë të mos përzihemi në drejtësi. Kriminelë janë policia dhe ushtria e Serbisë”, tha ai.

“Unë pres nga kjo prokurori, e cila është e skandaleve, që t’i m’i sjell CD-të – që i kemi quajtur pjata fluturuese – dhe nëse i sjell unë prapë ia qes në media. S’e njohim këtë gjykatë dhe s’e kemi njohur asnjëherë. Me të gjitha mundësitë tona do ta pengojmë funksionimin e saj, sepse kjo gjykatë s’i ndjek krimet e luftës, por shqiptarët, sepse po t’i ndiqte krimet e luftës do të duhej të ndiqeshin masakrat dhe krimet që i ka shkaktuar Serbia pushtuese në Kosovë. Është fatkeqësi që deputetët e Kuvendit të Kosovës miratojnë gjykatë politike, edhe tash deputetët që janë nuk marrin masa ndaj kësaj pseudo-gjykate” tha ai.


MË SHUME NGA Lajme