Ekskluzive: Presidenti Millo Gjukanoviq, sonte në ‘RTK PRIME’
Jeton Musliu / RTKlive
Para përmbylljes së aktiviteteve të parashikuara sipas agjendës zyrtare, për ditën e sotme, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, në mbrëmje do të japë një intervistë për radiotelevizionin e Kosovës (RTK).
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, nisi sot vizitën zyrtare dyditëshe në Prishtinë, e para kjo si president i vendit fqinj në Kosovë.
Gjatë ditës ai pati takime me presidenten Vjosa Osmani-Sadriu e cila e priti me nderimet më të larta shtetërore.
Takimet i vazhdoi me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kurse pasdite u nderua me “Çelësin e Prishtinës” nga kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama.
Kështu, sonte në emisionin qendror të debatit “RTK PRIME”, dikur kryeministri e tani presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, do të përgjigjet në shumë pyetje në gazetarit Bashkim Vishaj.
Cili është pozicioni i Malit të Zi karshi zhvillimeve në rajon, pas agresionit rus mbi Ukrainë, nëse do ta mbështesë ky vend Kosovën për përfshirje në iniciativën “partneritet për paqe” në kuadër të NATO-s, çfarë mendon ai për demarkacionin me Kosovën, apo mospajtimet e tij me kryeministrin e shtetit të tij, Dritan Abazoviq për “Ballkanin e hapur”, janë disa nga temat që do të debatohen.
Intervista me kreun e shtetit malazez do të fillojë në orën 21:30 minuta meqë paraprakisht nga ora 20:10 minuta, “RTK PRIME” do t’i kushtohet aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë e cila dënoi me nga 4 vjet e gjysmë burg dhe nga 100 euro gjobë, Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn.
Ndaj këtij aktgjykimi ka pasur reagime të shumta nga OVL e UÇK-së, bashkëluftëtarë të tyre, familjarë e zyrtarë të ndryshëm politik.























