Prokurori i Speciales i kënaqur me aktgjykimin ndaj Gucatit e Haradinajt
Jeton Musliu / RTKlive
Zyra e Prokurorit të Specializuar mirëpriti vendimin e Gjykatës Speciale për dënimin ndaj krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinajt.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, përmes një komunikate për media, deklaroi se Prokurori Smith do të angazhohet që të ndjekë penalisht të gjitha rastet e frikësimit të dëshmitarëve.
“Sot është vendosur drejtësi. Z. Gucati dhe Z. Haradinaj janë shpallur fajtorë për krimet e tyre, pas një gjykimi transparent, të kujdesshëm dhe të drejtë të këtij rasti të rëndësishëm,” shkruan në këtë reagim të Prokurorit të Specializuar.
Në komunikatë sqarohet se mbrojtja e dëshmitarëve nga frikësimi dhe lëndimi qëndron në themel të ҫdo sistemi të drejtësisë penale – aktet dhe sjellja e të akuzuarve iu kundërvunë pikërisht këtij themeli.
“ Aktet dhe deklaratat në këtë lëndë kanë ndodhur në një klimë frikësimi, siҫ ishin gjetjet e gjykatësve sot,” shkruan në këtë deklaratë të nënshkruar nga prokurori Smith.
Prokurori Jack Smith deklaroi se do të bëjë gjithçka që është në pushtetin e tij që t’i ndjek penalisht ata që kanë frikësuar dëshmitarët.
“Frikësimi apo hakmarrja ndaj këtyre viktimave është, sipas mendimit tim, krim shumë i rëndë që godet në zemër aftësinë e këtij institucioni për të dhënë drejtësi dhe sundimin e ligjit”.
Nasim Haradinaj e Hysni Gucati u dënuan sot me nga 4 vjet e gjysmë burg dhe nga 100 euro gjobë. Atyre në dënim do t’u llogaritet edhe periudha e qëndrimit në paraburgim.























