Pas vendimit të Apelit, LDK kërkon shkarkimin e Bordit të ZRRE-së
BKT
Foto: RTK
Lajme

Pas vendimit të Apelit, LDK kërkon shkarkimin e Bordit të ZRRE-së

Jeton Musliu / RTKlive

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit e cila ka refuzuar ankesën e ZRRE-së si dhe ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë në lidhje me tarifat e shtrenjta të energjisë elektrike.

“Tash e 3 muaj, ZRRE dhe Qeveria e Kosovës, kanë faturuar qytetarët tanë kundërligjshëm. vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit si dhe ai i Gjykatës Themelore në Prishtinë, konfirmojnë të gjitha argumentet tona rreth faturimit diskriminues dhe të padrejtë të qytetarëve tanë. Këto argumente ishin injoruar nga pushteti. Insistimi i tyre për të mbrojtur një plaçkë publike, ka marrë sot vulën e dyfishtë të paligjshmërisë”, deklaron Abdixhiku, reagimi i të cilit nga LDK është shpërndarë në formë të një komunikate për media.

Sipas tij, kthimi i mjeteve tek qytetarët tanë, rishikimi i menjëhershëm i tarifave të energjisë, si dhe shkarkimi i Bordit të ZRRE-së, janë hapa të domosdoshëm që Qeveria e Kosovës dhe Albin Kurti duhet t’i ndërmarrin sa më parë.

“Sot kërkojmë përgjegjësi publike nga ata që paligjshëm i shtrenjtuan faturat e energjisë; e që mbrojtën me garancë këtë paligjshmëri”, tha ai.

Abdixhiku tha se pjesa tjetër e së vërtetës rreth krizës energjetike – të keqpërdorimit të qindra milionave, pagesave në llogari të fshehta, e vonesës në reagueshmëri – do të zbardhen në Komisionin Hetimor Parlamentar.

Gjykata e Apelit ka vërtetuar sot vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga Zyra e Rregullatorit për Energji, duke refuzuar kështu ankesën e këtij institucioni si të pabazuar.

 


MË SHUME NGA Lajme