Bislimi takon drejtuesin e Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit
BKT
Lajme

Bislimi takon drejtuesin e Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit

Shkurta Rrahmani/RTKlive

Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka pritur sot drejtuesin e Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit, Petr Maresh.

Fondi Ndërkombëtar i Vishegradit mbështet bashkëpunimin rajonal ndërmjet organizatave të shoqërisë civile, për të avancuar marrëdhëniet e tyre, shkëmbimin e ideve dhe promovimin e mirëkuptimit të ndërsjellë.

“Me drejtuesin e këtij fondi, z. Petr Maresh, biseduam për mundësitë e bashkëpunimit dhe gjetjen e mënyrave të ofrimit të një kontributi të rëndësishëm. Përmes bursave për studentë apo mbështetjes së shoqërisë civile mund të lindin projekte kërkimore, ndihma dhe iniciativa të cilat promovojnë bashkëpunimin rajonal dhe forcojnë lidhjet mes shteteve”, ka thënë Bislimi.

Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e Evropës së bashkuar, duke pasur parasysh kërcënimet që vijnë nga Federata Ruse dhe agresionin rus në Ukrainë. Konsolidimi i bashkëpunimit mes vendeve është rruga e duhur në luftimin e faktorëve destabilizues, njofton zyra e Zv/kryeministrit.

Bislimi e falënderoi z. Maresh për vizitën dhe shprehu mirënjohje për gatishmërinë në zgjerimin e raporteve dhe thellimit të bashkëpunimit.


MË SHUME NGA Lajme