Kreu i PDK-së viziton familjet Haradinaj e Gucati
Shkurta Rrahmani/RTKlive
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në shoqëri të kolegëve të tij të partisë, e ka vizituar familjet e Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucati, të cilët sot u dënuan nga Dhomat e Specializuara në Hagë, me nga katër vjet e gjysmë secili.
“Duke bashkëndjerë me familjarët e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, së bashku me kolegë të Partisë Demokratike të Kosovës, vizituam sot familjet Haradinaj dhe Gucati, për t’u solidarizuar në këtë ditë aspak të lehtë për ta e për ne”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai tutje ka thënë se rruga jonë për liri ka qenë e mundimshme dhe me plot pengesa, por se “populli ynë nuk i është shmangur kurrë asaj rruge, deri në çlirimin e plotë”.
“Këtë traditë e kanë kultivuar ndër breza edhe familjet Gucati e Haradinaj, me të cilët, sot jemi të gjithë me mendje e zemër. Qëndrueshmërinë dhe krenarinë kombëtare te këto familje e gjetëm të palëkundur edhe sot”, ka shtuar Krasniqi.























