Ministrat e Ballkanit Perëndimor pajtohen për projekte të përbashkëta
Qendresa Duraku /RTK
Komuniteti i transportit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, është pajtuar që të vazhdojë bashkëpunimi në projekte të përbashkëta në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore.
Takimi i pestë i Komunitetit të Transportit me ministrat e Infrastrukturës sivjet po mbahet në Prishtinë. Marrëveshjet e reja dhe liberalizimi i tregut të mallrave dhe të njerëzve është shumë i rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kështu tha ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, në nisje të takimit të pestë të Sekretariatit të Komunitetit të Transportit me ministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
"Këto marrëveshje kanë sjell rezultate të cilat lidhen me fushën e infrastrukturës dhe në fushën e transportit ndërmjet vendeve të rajonit dhe shpresojmë që kësisoj me kësi marrëveshje të vazhdojmë edhe më tej të krijojmë një lëvizshmëri më të lehtë të qytetarëve, të udhëtarëve dhe të mallrave për gjithë vendet e rajonit." tha Aliu.
Përfaqësuesi nga Komisioni Evropian, Stefano Paci, deklaroi se transporti nuk ka kufij dhe se është i vetmi mjet për Integrim dhe bashkëpunim.
Ai shtoi se është një ngjarje e rëndësishme sot. Jemi në takimin e 5-t të komunitetit të transportit. Transporti është një fushë themelore dhe thelbësore për integrimin në BE.
Drejtori i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Matei Zakonsjek, deklaroi se takimi në Prishtinë ka për qëllim integrimin e plotë të tregjeve të transportit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Dy projekte i vizatuam dje. Kemi parë progresin në linjën hekurudhore 10 që e lidh Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut dhe më tej i lidh këto me BE.
Po ashtu, kemi parë progresin e punimeve në Autostradën e Paqes që lidh Prishtinën përmes Merdarit me Nishin e Beogradin. Të gjitha këto projekte janë edhe simbole të angazhimit evropian jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin.
Në këtë takim kanë marrë pjesë ministrat e Infrastrukturës nga Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Mali I Zi dhe Maqedonia e Veriut.























