Krasniqi: Vendimi i Apelit për çmimin e rrymës, fitore për qytetarët
BKT
Foto: Visar Shatrolli
Lajme

Krasniqi: Vendimi i Apelit për çmimin e rrymës, fitore për qytetarët

Visar Shatrolli/RTK

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka përshëndetur vendimin e Gjykatës së Apelit për vërtetimin e vendimit të Gjykatës Themelore lidhur me bllokimin e tarifave të shtrenjtuara të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Ai tha se falë kësaj fitoreje ligjore të PDK-së, tash e tutje, rreth 450 mijë familje kosovare do të paguajnë energjinë elektrike pa ngritje të çmimit.

Krasniqi duke falënderuar qytetarët për besimin në kauzën e Partisë Demokratike të Kosovës, tha se përmes vendimit të djeshëm të Gjykatës së Apelit dhe falë punës dhe angazhimit të ekipit të PDK-së, saga për tarifat e shtrenjtuara të energjisë ka marrë fund.

"Falë punës dhe angazhimit të këtij ekipi, e përmes vendimit të djeshëm të Gjykatës së Apelit, saga për tarifat e reja e të padrejta mbi qytetarë ka marrë fund", tha ai.

Krasniqi theksoi se rritja e çmimit të energjisë elektrike për familjet kosovare ka qenë një zgjidhje e paramenduar dhe e projektuar nga Qeveria Kurti, e cila përmes ZRRE-së, edhe e ka bërë një gjë të tillë në muajin shkurt, kur mori vendim për rritjen e tarifave.

"Në parim, është një precedent shumë i keq fakti se një institucion që do të duhej të ishte i pavarur si ZRRE-ja, është vënë në zbatim ekskluziv të projeksioneve të pushtetit, dhe këtë e ka bërë me një injorim të plotë për interesin qytetar dhe me një ftohtësi të plotë", tha lideri i PDK-së.

Krasniqi kritikoi mazhorancën në Kuvend dhe Qeverinë Kurti për mungesë konsiderate ndaj kostos së papërballueshme të çmimit të energjisë elektrike që ishte vendosur për qytetarët me tarifat e reja, andaj PDK si lidere e opozitës me ekipet e saj ligjore, në mbrojte të interesit publik dhe interesit të qytetarëve si konsumatorë është angazhuar maksimalisht për të kërkuar pezullimin e zbatimit të këtij vendimi të ZRRE-së.

"Natyrisht, kjo fitore ligjore e PDK-së, me mbështetjen edhe të partive tjera opozitare, ndaj pushtetit dhe vendimeve të kundërligjshme të tij, nuk është fitore politike ndaj pushtetit, por fitore meritore për të drejtat e qytetarëve përballë autoritetit të pushtetit kur ai autoritet përdoret kundërligjshëm dhe në dëm të interesit publik”, tha Krasniqi.

Nga ZRRE-ja kanë deklaruar se do ta respektojnë vendimin e gjykatës.


MË SHUME NGA Lajme