Shtyhen seancat gjyqësore ndaj Salih Mustafës
Jeton Musliu / RTKlive
Në Dhomat e Speclizuara të Kosovës në Hagë, nuk do të ketë seancë nesër (20 maj) ndaj të akuzuarit Salih Mustafa. Përvec kësaj, u ndërpre edhe kjo që ishte duke u mbajtur sot dhe kjo, deri në një njoftim të dytë.
Kjo, për shkak të parashtrimeve të djeshme të mbrojtjes, në lidhje me rishqyrtimin e qëndrimit të mëparshëm të saj.
Për këtë arsye, sot nuk u zhvillua deklarata pa betim e të akuzuarit.
Në seancën e së enjtes, i akuzuari Salih Mustafa, pritej të fillonte deklaratën pa betim, por i njëjti gjatë seancës e njoftoi gjykatën se ka ndryshuar mendjen dhe nuk do të deklarohet në gjykatore.
,egjithatë, një gjë të tillë ai pritet ta bëjë jo më larg se 12 qershor. Kështu së paku deklaroi kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt Foglia.
“Mustafa kishte konfirmuar gatishmërinë për t’iu përgjigjur pyetjeve të trupit gjykues nëse do të kishte në varësi edhe të drejtave të tij për të mos folur, për të heshtur”, tha gjykatësja.
“Arsyeja pse trupi gjykues donte të bënte pyetje ishte në përpjekje për të sqaruar se çfarë ka ndodhi në prill të vitit 1999 dhe nëse i akuzuari ka pasur ndonjë rol në kuadër të aktakuzës së konfirmuar”.
Ajo tha se në më pak se 24 orë para seancës së sotme, mbrojtja ka konfirmuar se e ka rimenduar qëndrimin dhe nuk do të japë deklaratë pa betim dhe nuk do t’iu përgjigjej pyetjeve të trupit gjykues.
Avokati Julius Von Bone, që mbron Mustafën, tha se po ta kishin ditur këtë ndryshim të qëndrimit më përpara, do të kishin dorëzuar parashtrim më përpara, por kështu ndodhi.
Aktakuza ndaj Salih Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020, ku ngarkohet për krime lufte.
Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave.
Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar.
Të gjitha këto akuza, janë hedhur poshtë nga i akuzuari Salih mustafa.