Mësues paradite, sharrëxhi e taksist pasdite
BKT
Lajme

Mësues paradite, sharrëxhi e taksist pasdite

Alban Selimi / RTK

Shumë mësimdhënës detyrohen që pas orarit të punës të punojnë si sharrëxhinj, taksistë, roje e shpërndarës ushqimesh. Kjo, pasi atyre, paga nuk u mjafton për mbijetesë. Emisioni “Udhëve” në RTK ka intervistuar disa mësimdhënës që detyrohen të bëjnë punë dytësore, me qëllim të mbijetojnë.

Afrim Kadriu, mësues në shkollën e mesme të ulët “Ditët e Minatorit” në paralelen e ndarë në Shushicë të Graçanicës, sapo përfundon punën në shkollë, i heq rrobat e mësuesit, merr pajisjet për prerjen e druve dhe me nxitim niset drejt një punishteje për shitjen e drunjve, ku punon pas orarit të punës në shkollë.

“Pas orarit të punës, zakonisht rreth orës 13 e 30 kur kam punë vij o këtu o kudoqoftë, diçka me punu, a me sharritë dru, a me pre a çkadoqoftë, se vërtetë problem është me ia dalë”, ka theksuar mësuesi Afrim Kadriu

Ai më tej ka treguar se i ka ndodhur ndonjëherë që edhe ndonjë nxënës apo prind i nxënësit ta thërras për të punuar. “Ka ndodhë. A është ndjenjë e mirë? Me të thanë të drejtën në fillim nuk jam ndje mirë. Por qysh me ja dalë me një rrogë”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, një profesor i gjuhës angleze nga Prishtina punon në një kompani transportuese. Ai heziton ta zbulojë identitetin para publikut, pasi thotë se ka numër të madh të nxënësve që e shohin dhe nuk ndjehet mirë para tyre.

“Punë primare e kam mësimdhënien në shkollë. Punoj si mësimdhënës i gjuhës angleze por meqë kushtet që janë në Kosovë dhe pagat jo të mira na detyrojnë të bëjmë edhe një punë të dytë, edhe pse pa vullnetin tonë por detyrohemi. Unë punoj si shofer në një kompani, nuk është e lehtë mi mbajtur dy punë, është orari pak i zgjatur, dihet si funksionojnë kompanitë private në Kosovë. Vështirë është por po mundohemi”, ka thënë ai.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në një përgjigje me shkrim të pyetur për këtë çështje kanë thënë se punëdhënës të arsimtarëve janë komunat. Por, për ekspertin e cilësisë nga Instituti Kosovar për Menaxhim, Ilir Rexhepi, përgjegjësia kryesore për të përmirësuar imazhin e mësimdhënësve bie mbi MASHT-in.

“Kjo është çështje nacionale, nuk është më çështje komunale ose regjionale sepse s’kemi të bëjmë me dukuri në rajone dhe komuna por kemi të bëjmë me dukuri të ngjashme në gjithë Kosovën. Dhe si dukuri e ngjashme në gjithë Kosovën, atëherë për politika nacionale është përgjegjëse MASHT”, ka theksuar Ilir Rexhepi.

Ai ka thënë se MASHT-i si dhe komunat, duhet të subvencionojnë projekte ku mësimdhënësit do të kyçeshin dhe ajo do të ishte puna e tyre dytësore.


MË SHUME NGA Lajme