Pas anëtarësimit në KE, kosovarët mund të adresojnë çdo kërkesë në GjS
Pajtim Çuni/ Radio Kosova
Një mundësi më shumë për drejtësi do të kenë kosovarët pas anëtarësimit të vendit në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi në këtë organizatë me automatizëm i jep të drejtë qytetarëve që të referojnë kërkesa për shkeljet e pretenduara të të drejtave të përcaktuara në Konventën Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut. Megjithëkëtë, juristët thonë se kosovarët e larguar padrejtësisht nga puna gjatë viteve të 90-ta, nuk do të mundë të kërkojnë kompensim dëmi nga Serbia.
Pas anëtarësimit eventual në Këshillin e Evropës për çfarë Kosova aplikoi më 12 maj, shtetasit kosovarë fitojnë të drejtën që t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me qëllim të rivendosjes së të drejtës, në rast se pretendojnë që kjo iu është mohuar nga gjykatat vendore. Megjithëkëtë, kosovarët e larguar padrejtësisht nga puna gjatë viteve të 90-ta, nga regjimi serb, apo edhe pensionistët, në Gjykatën e Strasburgut nuk do të mundë të kërkojnë kompensim dëmi nga Serbia.
Profesori universitar, Besfort Rrecaj, tregon për Radio Kosovën se pse qytetarët nuk mund të adresojnë kërkesa të tilla.
“Problemi më delikat në këtë drejtim është se Serbia nuk e pranon qytetarin e Kosovës si shtetas të Kosovës. Për adresim eventual, qytetarët ndoshta do të detyrohen të paraqiten si shtetas të Serbisë, ose në ndonjë formë tjetër. Mirëpo, çdo proces duhet të fillojë në Serbi, e pastaj të ecë në Gjykatën Evropiane, sepse nëse shkohet direkt, gjykata nuk do t’i trajtojë këto raste duke u thirrur në atë se nuk janë shterur të gjitha mjetet juridike”, tha Rrecaj.
Nga ana e tij, juristi Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thotë se pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës, kosovarët mund të adresojnë çdo kërkesë në Gjykatën e Strasburgut. Por, sipas tij, jo çdo kërkesë mund të pranohet.
“Nuk do të thotë që çdo kërkesë që dërgohet atje do të ketë sukses. Unë besoj se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut do të ndërtojë standardin që Kosova nuk mund të marrë përgjegjësi për dëmet apo për shkeljet e të drejtave të njeriut që u janë bërë qytetarëve të Kosovës në kohën e ish-Jugosllavisë, sepse kjo do të ishte një barrë e papërballueshme për buxhetin e Kosovës. Po ashtu, edhe për faktin se institucionet e Kosovës nuk mund të marrin përsipër dëmet që i ka bërë ish-Jugosllavia”, tha Miftaraj.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut është një gjykatë ndërkombëtare e krijuar në vitin 1959 dhe vendos për individin ose kërkesat shtetërore që pretendojnë shkelje të të drejtave civile apo politike, të përcaktuara në Konventën Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut.























