Ylli-Trepça përballen sot në sfidën e parë të finaleve të ‘Play-Off-it’
BKT
Sport

Ylli-Trepça përballen sot në sfidën e parë të finaleve të ‘Play-Off-it’

Fatmir Bytyqi /RTKlive

‘Ethët’ e basketbollit do të vazhdojnë sot me ndeshjen e parë të finales së Play-Off-it.

Golden Eagle Yllit dhe Trepça do të ballafaqohen sot pasdite në një sfidë që pritet të prodhojë një super-ndeshje.

Këto dy skuadra kishin përfunduar në garat e rregullta, në vendin e parë, përkatësisht të dytë. Therandasit në gjysmëfinale të Play-Off-it eliminuan Sigal Prishtinën 3:0, kurse ‘Xehetarët’ eliminuan Pejën me seri prej 3:1.

Ylli dhe Trepça janë përballur katër herë në garat e rregullta, duke shënuar nga dy fitore ndaj njëra-tjetrës.

Skuadra nga Theranda kërkon të mbrojë titullin e kampionit, që e fitoi edicionin e parë për herë të parë në histori, kurse mitrovicasit pas Kupës e kërkojnë edhe titullin e kampionit, që iu mungon nga viti 2012.

Ndeshja e parë e serisë së finaleve të Play-Off-it luhet në Palestrën “13 Qershori” në Suharekë dhe nis në orën 17:30.