Sa u kushtohet vëmendje objekteve të trashëgimisë kulturore e arkeologjike?
Lajme

Sa u kushtohet vëmendje objekteve të trashëgimisë kulturore e arkeologjike?

Ahmet Maholli/RTK

Vendi ynë është i pasur me objekte të trashëgimisë kulturore po edhe arkeologjike. Një i tillë është edhe kodërvarri ose Tuma e Madhe Ilire në Jashanicë të Klinës, e cila daton nga viti 1200 para erës sonë. Institucionet lokale dhe banorët kërkojnë që të bëhen gërmime për të parë më shumë në këtë lokacion, por institucionet e nivelit qendror, tash për tash, nuk do të bëjnë gërmime për shkak të kostos së lartë të shpenzimeve.

Në këtë fushë të gjelbëruar, në thellësi të fshatit Jashanicë e Klinës, gjendet një monument i lashtë ilir, i quajtur Tuma e Madhe, me një diametër deri në 50 metra.
Kjo tumë ilire ose kodërvarr përbën vlerë historike, arkeologjike dhe kulturore, ndaj dhe duhet të ruhet, thonë banorët.  
Sipas tyre, do të ishte mirë që institucionet kompetente të bëjnë gërmime arkeologjike, në mënyrë që të dihet më shumë rreth këtij monumenti të lashtë ilir, sepse për këtë trashëgimi të lashtë ilire, dinë pak banorë të kësaj ane.
“Ne si fëmijë, prej se jemi rritë na këtu kemi qenë. Është folur se ka edhe varre aty dhe toka nuk është lanë me u punu se kanë thënë se ka varre të moçme”, tha, mes tjerash, Ilir Sahiti, banor i kësaj ane.
“Gjurmimet arkeologjike duhet të identifikohen dhe të dihen ato gjërat autoktone, të cilat na përkasin. Duhet të dihet se ne jemi pasardhës të ilirëve dhe duhet me identifiku ato gjëra kulturore që janë shumë të çmueshme për ne”, tha Bashkim Hoti, kryetar i Bashkësisë Lokale të Jashanicës.
Kjo është kodrina në fshatin Jashanicë të Klinës e cila mendohet të jetë një tumë ilire, kjo kodrinë ose tumë ilire, është e mbuluar me barishte dhe shkurre dhe deri më tash nuk është bërë ndonjë gërmim arkeologjik
Për këtë kodërvarr, drejtoresha e Kulturës në Klinë, thotë se është e lashtë dhe ka rëndësi për trashëgiminë kulturore të këtij vendi dhe mbarë vendin, duke dëshmuar për një ekzistencë se këtu ka banuar populli ilir dhe fiset ilire. Sipas saj, komuna nuk ka gërmuar në këtë lokalitet, por do t’i shikojë mundësitë për bashkëpunim me Institutin Arkeologjik të Kosovës, dhe për bashkëpunim me organizata të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare për ta ruajtur dhe restauruar.
E, Fatjona Gashi, drejtoreshë e Kulturës në  Klinë deklaroi për RTK se secili element i trashëguar nga iliria, dëshmon për prejardhjen dhe vjetërsinë tonë si popull, kështu që rëndësia e kësaj tume, koincidon me atë vlerë se sa dëshmojnë për vjetërsinë e popullit shqiptar.

Nga ana tjetër, drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, thotë se e kanë vizituar që nga viti 2005 këtë tumë ilire, duke e futur vetëm nën mbrojtje të përkohshme që nga viti 2012, por jo edhe ndonjë gërmim arkeologjik për shkak të ndjeshmërisë, ngase mund të shpërbëhet. Ai shton se duhet bërë përgatitje të detajuara sepse mund të dëmtohet më tepër. Sipas tij gërmimet arkeologjike, restaurimi dhe konservimi i saj shpresojnë t’i bëjnë kur të krijohen mundësitë kohore dhe financiare.
“Duhet të përgatitemi me stafin, me analizën e projektit në detaje, me një kosto paralogaritare që të mos mbetet në gjysmë projekti se mund të dalim ne përgjegjës për dëm, dmth nuk kemi lejuar të bëhet ndonjë ndërmarrje pa qenë të përgatitur sepse ne punojmë në formë klasike me mjete teknike të thjeshta dhe për ato punë duhet të jetë një ekip më i madhe i stafit, sepse, kur ta gërmojmë, nuk mund ta kthejmë më”, deklaroi Enver Rexha, drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës.
Rexha ka thënë se për punë të tilla të gërmimeve dhe për ta pasur një pasqyrë sa më të qartë të kësaj dhe të tjera kodërvarreve ilire, nevojiten mjete dhe aparatura të sofistikuara.
Tuma e Madhe ilire në Jashanicë  i takon periudhës së hekurit ose vitit 1200 para erës sonë, ndërsa numri i objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike në komunën e Klinës është 14 duke përfshirë ura dhe kulla të vjetra të gurit.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa