Kryeministri Kurti vizitoi shoqatën `Vatra` në 110-vjetorin e themelimit
Lajme

Kryeministri Kurti vizitoi shoqatën `Vatra` në 110-vjetorin e themelimit

Muharrem Miftari/RTKLive

Në 110-vjetorin e themelimit të Pan Federatës Shqiptare “Vatra”, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në New York dhe ka përshëndetur me një fjalë rasti anëtarësinë e shoqatës më të vjetër shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Tani e 110 vjet Vatra juaj, Vatra jonë, e paraprirë nga 'Dielli' e 'Kombi' i dhanë shqiptarëve këtu e veçanërisht në trevat e tyre vrullin dhe organizimin për liri, deri në pavarësi”, ka thënë kryeministri Kurti në fillim të fjalës së tij.

Sipas kryeministrit, shoqata “Vatra” sidomos në 10–15 vitet e para të krijimit të shtetit shqiptar e shpëtoi, e ndërtoi dhe e anëtarësoi shtetin e ri të kërcënuar ngado, mes kombeve si të barabartë dhe ia siguroi mbështetjen më të lartë ndonjëherë deri në atë kohë, për të drejtën për vetëvendosje popullit shqiptar.

“’Vatra’ e miqësoi përjetësisht shqiptarinë me Amerikën dhe e vendosi në nivelin më të lartë cilësinë e kësaj marrëdhënie falë dijes, patriotizmit ekselent, ndershmërisë dhe këmbënguljes së pathyeshme përballë drejtuesve politikë e përfaqësuesve diplomatikë”, ka thënë kryeministri Kurti.

Më tej, në fjalën e tij, ai e ka vlerësuar rolin e organizatave shqiptare si të pazëvendësueshëm, për të ruajtur dhe fuqizuar identitetin shqiptar në kushtet e sotme të globalizimit dhe të lëvizjes së madhe të njerëzve.

Gjithashtu, ka thënë se organizatat e diasporës shqiptare duhet të vijojnë lobimin pranë shteteve demokratike për respektimin e të drejtave të shqiptarëve kudo.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri Kurti ia ka uruar “Vatrës” 110-vjetorin e themelimit, duke i dëshiruar, siç është shprehur ai, jetë të gjatë sa të jetë kombi ynë. 


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa