Rama për ”Corriere dello sport”: Tirana një Romë e vogël
ATSH
Sport

Rama për ”Corriere dello sport”: Tirana një Romë e vogël

ATSH

Një festë shqiptare dhe një festë italiane. Tirana po përgatitet prej muajsh për finalen e Konferencës.

Dhe të mërkurën, në ditën e ndeshjes, të gjitha zyrat publike do të mbyllen për të lehtësuar organizimin dhe menaxhimin e eventit, shkruan Roberto Maida për gazetën italiane ”Corriere dello sport”.

”Kryeministri Edi Rama është shprehur shumë i emocionuar. Javën e kaluar në profilin e tij në Instagram ai postoi një foto të një shalli të Romës ngjitur në kangjellat e stadiumit, vetëm për të kuptuar se shqiptarët kanë zgjedhur cilën anë të marrin.

”Unë kam shpirt italian, pasi gjyshja ime kishte gjak venecian. Dhe falë saj mësova gjuhën tuaj. Për mua italianët janë shqiptarë të veshur me Versace. Jemi vërtet të ngjashëm në kulturë dhe mentalitet”, thotë Rama në intervistën për gazetën italiane.

Rama është një personazh shumë i veçantë. Ish-basketbollist, piktor, gazetar, filantrop, kreu i një qeverie që nga viti 2013 që i ka ndryshuar tërësisht fytyrën Shqipërisë.

Ne e kontaktuam për të parë nga afër ndjesitë e tij.

-Zoti kryeministër, kjo finale është një mundësi e madhe për Shqipërinë.

“Është e vërtetë. Përsa i përket imazhit, kjo është një ngjarje e bujshme. Por për ne është edhe krenari të presim këtë finale. Deri para disa vitesh, Kombëtarja jonë nuk mund të luante në Tiranë sepse kishte një stadium të vjetër që nuk i përmbushte standardet ndërkombëtare. Tani kryeqyteti po pret për herë të parë një finale evropiane”, thotë Rama.

-Çfarë atmosfere është pak ditë para ndeshjes?

”E pabesueshme. Dhe do të jetë më e nxehtë dhe më e ngrohtë nga tani deri të mërkurën. Ne do të jemi në lartësinë e saj”, thekson ai.

-Ka shqetësime për sigurinë, me shumë tifozë italianë dhe holandezë që kanë mbërritur pa bileta?

”Jemi organizuar. Ata që nuk mund të hyjnë në stadium do të mund ta ndjekin ndeshjen në dy tifozeritë e rezervuara për mysafirët tanë. I kërkova ndihmë policisë në Romë dhe Roterdam, të gjithë po bëjnë përpjekje për të ofruar mbështetje”, thotë Rama.

-Tirana, edhe në mandatin e saj si kryetar bashkie, ka evoluar shumë në dekadat e fundit?

”Po përjetojmë një periudhë zhvillimi të madh, pas zbehjes së tmerrshme të epokës komuniste dhe kaosit urban që pasoi. Të gjithë ata që vijnë për të na vizituar janë të befasuar dhe duan të kthehen në Shqipëri”.

-Është e vërtetë që ju jeni tifoz i Juventusit?

”Po, që kur isha fëmijë. Por, tani që Roma drejtohet nga Mourinho, është e vështirë për mua të zgjedh. Unë isha i magjepsur prej tij kur ishte Interi, aq sa në atë kohë më bëri të tradhtoja pak Juventusin… Le të themi se jam një juventin murinjan. E vërteta është se unë nuk jam ekspert futbolli. Unë jam më i interesuar për trajnerët: prej tyre mund të mësoj karizmën, udhëheqjen dhe aftësinë për të menaxhuar një grup”.

-Atëherë të mërkurën fiton Roma?

”Mendoj se Feyenoord ka më pak shanse për të marrë kupën… Holandezët do të luajnë jashtë shtëpisë, sepse Tirana është një Romë e vogël. Të gjithë shqiptarët do të bëjnë tifo për romanët”.

-Dhe ndoshta për Marash Kumbulën, i cili është shtetas shqiptar?

”Unë nuk e njoh atë personalisht, por të gjithë këtu flasin mirë për të. Dhe nuk është një gjë e parëndësishme në Shqipëri që të bien dakord të gjithë. Marash është flamuri ynë dhe është një lojtar i fortë. Ai ishte shumë i mirë për ta bërë trajnerin të ndryshonte mendje, duke fituar gradualisht hapësirë”.

-Çfarë do t’i rekomandonit Juventusit “të tij” për t’u bërë sërish i madh?

”Nëse do të mund të jepja një këshillë, do të bëhesha anëtar i shoqatës së trajnerëve të njohur që keni në Itali… Por, ajo që ndodhi më parë më dukej anormale, pasi Juvja fitonte gjithmonë”.

-Po Allegri?

“I madh. Por, po aq i madh ishte basti për ta rikthyer atë në Juve. Ribërjet janë gjithmonë të komplikuara”.

-Çfarë kujtoni nga e kaluara juaj në basketboll?

”Isha një djalë me gjymtyrë të gjata. Kam luajtur si qendër edhe pse jam i gjatë 1,98 m sepse këtu nuk kishte gjigantë. Ne konsideroheshim kinezët e Europës. Edhe unë erdha në kombëtare në moshën 20-vjeçare, por u ndala herët sepse vuaja nga astma. Por, përvoja më ndihmoi, sepse më mësoi rëndësinë e lojës në ekip”.

-Që prej asaj kohe i lindi pasioni për pikturën? Zyra e tij është plot me piktura dhe vizatime.

”Duke lënë sportin zbulova se më pëlqente të pikturoja. Që nga viti 1991, kur ra regjimi komunist, kam filluar të udhëtoj nëpër botë”.

-Kush është Mourinho i artit?

”Paolo Uccello. Për mua ai është zot i pikturës. Më moderni nga të gjithë modernët”.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa