Kurti në WAF: Kosova të bëhet pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe
Lajme

Kurti në WAF: Kosova të bëhet pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe

Muharrem Miftari/RTKLive

Në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuar si folës në World Affairs Forum.​

Stabiliteti institucional dhe qeverisja demokratike në Republikën e Kosovës u theksuan nga kryeministri në fjalën e tij. Ai veçoi renditjen e Kosovës në vendin e parë sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan, sipas World Justice Project, ngritjen për 17 vende, sa i përket luftës kundër korrupsionit, sipas Transparency International dhe ngritjen për 17 vende më lart sa i përket lirisë së medieve, sipas Reporterëve pa Kufij. 

Si aleat dhe mik i pashmangshëm, na duhet ndihma e ShBA-ve për t’u bërë pjesë e Programit Partneriteti për Paqe të NATO-s, derisa të bëhemi anëtar i plotë i NATO-s, tha kryeministri Kurti, ndërsa theksoi edhe rritjen e buxhetit për mbrojtje për 52 për qind.

Ai potencoi indikatorët pozitivë ekonomikë, rritjen ekonomike impresive dyshifrore, si dhe punën drejt themelimit të Gjykatës Komerciale në Kosovë.

Duke folur për potencialin që ka Kosova në fushën e teknologjisë së informacionit, kryeministri Kurti tha se në Silicon Valley takoi shumë ndërmarrës, të cilëve u shpjegoi që Kosova është vend i përshtatshëm për investime.

Kryeministri ftoi biznesmenët amerikanë, po ashtu, edhe ata shqiptaro-amerikanë që të investojnë në Kosovë, për ndërmarrje fitimprurëse për ta dhe zhvillim edhe më të hovshëm socio-ekonomik për Republikën e Kosovës.

Duke biseduar për tranzicionin energjetik dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja energjetike, kryeministri potencoi kapacitetet për energji të ripërtëritshme, me fokus të veçantë në atë diellore dhe të erës. Kryeministri veçoi parkun e erës “Selac Windpark” me kapacitet prej 105 MW dhe 27 turbina, si dhe projektin “Solar4Kosovo” me kapacitet prej 70 MW, që njëherësh do të jetë një nga termocentralet më të mëdha diellore në Evropë, me sipërfaqe prej 69 mijë metra katrorë. Ai përmendi edhe negociatat me MCC-në për projektin Kompakt, që do të jetë projekti më i madh energjetik në Kosovë që nga çlirimi, me shumën 236 milionë dollarë, dhe që parasheh ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë.

 

 


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa