Bislimi: S’ka marrëveshje, por Kosova shihet palë konstruktive në Bruksel
BKT
Foto Valjeta Shala/ RTK
Lajme

Bislimi: S’ka marrëveshje, por Kosova shihet palë konstruktive në Bruksel

Valjeta Shala/ RTK

(E plotësuar: Ora 15:05) Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, raporton para Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë të Kuvendit të Kosovës.

Ai raporton për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Bislimi deklaroi se për sa i përket çështjes së targave, deri më tani nuk ka marrëveshje për shkak të mos vullnetit të palës serbe. Sidoqoftë, Bislimi u shpreh se për marrëveshjen për energjinë, palët janë afër.

Bislimi deklaroi se është shumë transparent dhe se 12 herë ka raportuar në Kuvend për këtë proces.

Ai tha se idealja do të duhej të ishte që në vitin 2013 apo 2014, të arrihej marrëveshje me Serbinë.

“Në atë kohë, kanë filluar bisedimet teknike. Kjo pasi konsiderohej se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë kishte dhënë verdiktin e saj se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel ligjin ndërkombëtar”, tha Bislimi në Komision.

 “Megjithatë,  dialogu ka devijuar për çështje politike”.

Zëvendëskryeministri u shpreh se tani ka ardhur koha që mbi palën serbe të ketë trysni, që  arrihet marrëveshje.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Bislimi tha se me 23 qershor është mbledhja e Këshillit të Ministrave.  “Por nuk do të  spekulojmë për afatin se kur liberalizimi do të ndodhë sepse nuk varet nga ne”.

Ai tha se ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla është duke u takuar me ambasadorë në Vjenë, kurse ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal  Sveçla ishte në Paris për të garantuar dhe shmangur çfarëdo dyshimi për kualitetin e luftimit të krimit në Kosovë që Franca mund të ketë.

“Por mos na kërkoni data sepse ne kryejmë obligimet tona dhe varet nga vendete anëtare”.

Zëvendëskryeministri Bislimi u shpreh se ka shumë vlerësime për Kosovën nga Brukseli zyrtar, përkundër që Kosova për shkak të raporteve me BE-në,  nuk e ka të obliguar ta respektojë dhe harmonizojë politikën e vet me atë të BE-së.

“Por raportet e Serbisë me BE-në do t’i thosha në sesion të mbyllur. Sa i përket procesit të dialogut, deri vonë kemi pasur qasjen që Kosova nuk është bashkëpunuese”.

Bislimi i cili është edhe shef i ekipit negociator të Kosovës në Bruksel,  tha se nuk ka marrëveshje më shumë të rëndësishme e më pak të rëndësishme.

“Të gjitha janë marrëveshje  e kështu e shohim dhe atë për Asociacionin. E gjithë zhurma për Asociacionin është artificiale”, u shpreh ai.

“ Ndoshta pa qëllim ne e ushqejmë këtë temë koti. Ne e trajtojmë njësoj edhe atë sikurse 33 marrëveshjet e tjera. Pikë!”, tha zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Sa për çështjen e targave, u shpreh se  të dy vendet  kanë targa që i përmbushin standardet e BE-së.

“ Ose i njohim ato targa ose mund t’ia shtojmë një marrëveshje ku thuhet e njohja e targave nuk do të thotë se është njohje për Kosovën”, tregoi ai, propozimet e palës kosovare që i ka dhënë në Bruksel.

“Prandaj nëse ky dialog është për normalizim, shtete normale nuk vendosin kushte, por ia njohin njëri- tjetrit targat”.

Në këtë situatë, Bislimi tha se mosgatishmëria e palës serbe,  e detyron palën kosovare të hartojë plan alternativ.

“BE thotë se duhet të zbatohen marrëveshjet. BE thotë se lista e mos zbatimit të marrëveshjeve është dyfish më e gjatë tek pala serbe se ajo kosovare”.

Bislimi: Për çështjen e targave deri me tani nuk ka marrëveshje

(E plotësuar, ora 14:20) Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka filluar mbledhjen.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi lidhur me Dialogun me Serbinë, tha se për çështjen e targave deri me tani nuk ka marrëveshje.

Ai tha se nuk ka marrëveshje për shkak të mos vullnetit të palës serbe. "Për marrveshjen për energjine jemi afër", tha ai.

Bislimi fillon raportimin lidhur me dialogun me Serbinë

(E plotësuar, ora 14:10) Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka filluar mbledhjen.

Në këtë mbledhje po raporton zëvendëskryeministri Besnik Bislimi lidhur me Dialogun me Serbinë.

Ndryshe ditë më parë në Bruksel, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak takoi kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq. Më pas ai mundësi një takim të negocitorëve, por që ai takim nuk kishte pasur rezultat.

Zëvëndëskryeministri Besnik Bislimi, përmes një postimi në Twitter, kishte deklaruar se konstruktiviteti dhe kreativiteti i palës kosovare ka qenë i nevojshëm dhe i dobishëm, por jo edhe i mjaftueshëm .“Përkundër pritjeve dhe angazhimit, Serbia sërish nuk ishte konstruktive në takimet e djeshme në Bruksel”, deklaroi Bislimi, i cili është edhe shef i ekipit negociator i Kosovës. “Zgjedhja për pengimin përmes pjesëmarrjes si strategji parësore po rezulton efikase në parandalimin e progresit”, tha ai.


MË SHUME NGA Lajme