Analistët në Beograd: Thirrjet nga SHBA për dialog, janë mundësi
Anamari Repiq / RTK / Beograd
Thirrjet e vazhdueshme të SHBA-së dhe të BE-së për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nga analistët atje po cilësohen si thirrje për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme mes dy vendeve, përderisa potencojnë se BE-ja nuk dëshiron një front shtesë në Ballkanin Perëndimor.
Dialogu pa epilog Beograd - Prishtinë dhe lufta në Ukrainë kanë ndikuar që Perëndimi të marrë një qasje më aktive, vlerësojnë analistët politikë në Beograd.
Ata theksojnë se BE-ja nuk dëshiron një front shtesë në Ballkanin Perëndimor.
Fillip Shvarm, Analist Politik, thotë se si Brukselit, ashtu edhe Uashingtonit e gjithë Evropës, nuk e pëlqen ekzistenca e këtij konflikti të ngrirë.
“Në Perëndim ekziston një qëndrim se kjo duhet të shuhet, sepse askush nuk e di se si do të përshkallëzohet më tej lufta në Ukrainë. Në këtë kuptim, do të hapet një hapësirë për dialog dhe tani mbetet vetëm pyetja - nëse ky dialog do të jetë i vërtetë apo do të shërbejë për korrektësi politike, për të varrosur disa nga vrimat më urgjente, dhe për t'i lënë çështje të mëdha për një kohë tjetër”, tha Shvarm.
Ndërsa vizitat e shpeshta si dhe mesazhet e përfaqësuesve të SHBA-së dhe BE-së nga analistët cilësohen si mundësi për t'i zgjidhur çështjet e hapura dhe arritur një zgjidhje të qëndrueshme në mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurse Jellica Miniq, Lëvizja Evropiane në Serbi, thotë se nëse politikanët vlerësojnë se duhet të tregojnë një shkallë më të madhe fleksibiliteti për të gjetur të paktën një zgjidhje të vogël për ngjitësit e targave, atëherë kjo është inkurajuese.
“Nëse targat janë të pazgjidhshme, atëherë nuk mund të shpresojmë për një progres më serioz”, tha Miniq.
A janë ngjitësit në targat një provim për të dy anët, mbetet të shihet.
Beogradi zyrtar rithekson se mbetet i përkushtuar ndaj dialogut dhe kompromisit, mirëpo si pengesë kryesore ai potencon çështjen e mosformimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.























