Kurti dhe Abazoviq takohen në Forumin Ekonomik Botëror në Davos
BKT
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Kurti dhe Abazoviq takohen në Forumin Ekonomik Botëror në Davos

F.Sertolli / RTKlive.com

Në margjina të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq.​ Kështu thuhet në një njoftim nga Qeveria e Kosovës.

Në njoftim thuhet se kryeministri Kurti e uroi kryeministrin Abazoviq për marrjen e detyrës, duke i dëshiruar suksese në arritjen e rezultateve për qytetarët.

Tutje sipas njoftimit duke biseduar për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, Kryeministri Kurti e falënderoi z. Abazoviq për bashkëpunimin e ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi në shumë fusha.

“Përderisa theksoi vullnetin për fuqizimin e marrëdhënieve shumë të mira me Kosovën, kryeministri Abazoviq tha se duhet promovuar politika që janë optimiste dhe respektuese, e që fokusohen në qytetarët”, thuhet në njoftim.

Po ashtu vazhdon njoftimi se të dy kryeministrat kanë diskutuar për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, si dhe potencialin e bashkëpunimit në shërbim të zhvillimit më të madh socio-ekonomik dhe rritjes së investimeve në të dy vendet.

“U veçuan projektet e përbashkëta infrastrukturore që lidhin Kosovën dhe Malin e Zi, siç janë rruga Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë, e që do të afrojnë qytetarët dhe do të ndihmojnë ekonominë e të dy vendeve”, thuhet në njoftim.

“U bisedua për thellimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Qeverinë e Republikës së Malit të Zi, si dhe për organizimin e një mbledhje G2G ndërmjet të dy qeverive brenda këtij viti”, përfundon njoftimi.


MË SHUME NGA Lajme