Kurti-Greqisë, bashkohuni me vendet e BE-së, njiheni pavarësinë e Kosovës
F.Sertolli / RTKlive.com
Në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati një adresim në debatin e Greek House.
“Duke folur për marrëdhëniet gjithnjë e më të mira dhe intensifikimin e bashkëpunimit, kryeministri Kurti tha se edhe takimet ndërmjet politikanëve të Greqisë dhe atyre të Kosovës janë shpeshtuar kohën e fundit. Ndërkohë që eksportet e Kosovës për në Greqi janë rritur për 160 për qind”, thuhet në një njoftim të Qeverisë së Kosovës.
Në këtë njoftimi thuhet që Kurti të ketë thënë se ‘afërsia gjeografike me Greqinë, por edhe kostoja e ulët e shpenzimeve krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, e bën Kosovën vend atraktiv për investime të kompanive greke’.
“Kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës shpreson që Greqia sa më shpejtë t’iu bashkohet 22 shteteve të Bashkimit Evropian që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu vazhdon njoftimi se kryeministri Kurti ka shprehur besimin se Greqia mund të bëhet lidere në përshpejtimin e përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
“Teksa dënoi sulmin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Federatës Ruse në Ukrainë, kryeministri Kurti foli për reagimin e menjëhershëm të Republikës së Kosovës për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe ofrimin e ndihmës për Ukrainën, duke shprehur gatishmërinë për të pranuar 5000 refugjatë ukrainas dhe duke iu ofruar strehim dhe kushte pune 20 gazetarëve nga Ukraina”, përfundon njoftimi nga Qeveria e Kosovës.























