Përfundon mbledhja e komisionit për energjinë, mbledhja e radhës të hënën
Donika Sherifi/ RTK
( E plotësuar, ora 14:32 ) Ka përfunduar mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike. Mbledhja e radhës do të mbahet të hënën.
( E plotësuar, ora 14:17 ) Armend Muja nga VV tha se janë dakord me planin e punës. “Do sugjeroja disa ndërhyrje të vogla. Pas KOSTT të inkorporojmë edhe KEDS-in dhe KESCO-n dhe kjo i plotëson institucionet për hetim. Në draft parashihet afati i intervistimit korrik gusht, por sugjeroj të lihet afati qershor-gusht”, tha Muja.
Deputeti nga VV Arbër Rexhaj, tha se duht të sigurohet dokumentacioni dhe për këtë kërkoj që të futet edhe komuna e Obiliqit dhe Fushë Kosovës.
Ndërsa Rashit Qalaj nga PDK,tha se duhet të jemi të kujdesshëm që dokumentacioni mos me ardh pas intervistimit të dëshmitarëve.
Ndërkaq Time Kadrijaj nga AAK, tha se faza që kuvendi shkon në pushim të jetë e lirë dhe që fillimisht të mbledhim dokumentacionin ta analizojmë e më pas e kemi më lehtë procedurën e intervistimit se pa e pas dokumentin nuk e din çka me pyet dëshmitarin.
Beqa konfirmon dorëheqjen e Haki Abazit
( E plotësuar, ora 14:07 ) Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike ka mbajtur mbledhjen e radhës.
Kryesuesi i komisionit, Hajdar Beqa, në lidhje me dorëheqjen e Haki Abazit ka njoftuar se ai dorëheqjen e ka bërë përmes Whatsapp. “Në cilësinë e kryesuesit pas mbledhjes, do ta informoj kryesinë për largimin e Haki Abazit. VV në seancën e ardhshme do ta zëvendësojë sipas ligjit për hetim parlamentar. Nuk kemi çka me komentu këtu se ai ka të drejtë me u largu në tri faza të punës”, tha ai.
Mblidhet komisioni për hetim energjetik për periudhën 2006-2022 (Ora 06:47)
Afet BELA/ RTKlive
Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike sot do të mbajë mbledhje.
Në këtë mbledhje do të ketë njoftim për dorëheqjen nga Komisioni të anëtarit Haki Abazi, do të ketë diskutim të planit të punës së Komisionit, miratim të buxhetit të Komisionit dhe diskutim rreth emërimit të eksperteve. raporton RTKlive.
Ndryshe, kryesues i këtij komisioni është deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, si dhe anëtari tjetër deputeti i kësaj partie, Rashit Qalaj.
Nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), do të jenë deputetët Armend Muja, Haki Abazi, Arbër Rexhaj, Halil Thaçi, zëvendës kryesues Armend Muja.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Armend Zemaj anëtar dhe deputetja Rezarta Krasniqi.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), anëtare është deputetja Time Kadrijaj.
Nga Lista Serbe (LS) për anëtar është Ljubinko Karadziq, si dhe nga grupi multietnik për anëtare është Duda Balje.
Komisioni që do të konstituohet sot do të mund të nxjerrin në pah problemet që i ka pasur Kosova me energjinë nga koha e Ish-UNMIK-ut, në vitin 2006 e që për lidershipin e Kosovës ishte kohë bisedimesh dhe parapërgatitje për statusin e Kosovës, raporton RTKlive
Pothuajse të gjitha partitë politike që nga vitit 2006 kanë qenë pjesë e qeverive në Kosovë. Edhe pse Lëvizja Vetëvendosje ka kohë të shkurtër që udhëheq me qeverinë, individë të saj kanë qenë pjesë e qeverive të kaluara.
Në kuadër të komisionit hetimor të krijuara nga Kuvendi i Kosovës do të jenë shumë persona, të cilët kanë pjesë nëpër sistemin energjetik të Kosovës, siç janë:, ZRRE-ja, KEK-u, KOSTT-i, KEDS-i etj.























