Arrestohet Ballisti, reagon Sali Berisha
BKT
Lajme

Arrestohet Ballisti, reagon Sali Berisha

Blerim Halimi / RTKlive

Ismail Morina, tifozi i njohur shqiptar i cili njihet me nofkën “Ballisti”, është ndaluar sot në mëngjes nga policia e Kukësit. 

Arrestimi i tij është bërë i ditur nga faqja që administrohet në rrjete sociale nga ai dhe persona të afërm me të, të cilët pretendojnë se arrestimi ka ardhur me urdhër nga Serbia. 

Ndërkohë, ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar për çështjen në fjalë, por në aktivitete të rëndësisë së madhe si finalja e Ligës së Konferencës që zhvillohet në Tiranë, nuk është e pazakontë që policia shoqëron persona të cilët janë të përjashtuar nga stadiumet, apo kanë precedentë me ngjarje të tilla sportive.

E për arrestimin e Ballistit ka reaguar edhe ish-kryeministri shqiptar dhe lideri i PD-së, Sali Berisha. Ai shkruan se tifozi i zjarrtë i Kombëtares Ballist Morina që mbahet mend për dronin në Serbi është arrestuar në Shqipëri.

Berisha ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij duke ftuar edhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që të reagojnë ndaj këtij veprimi të policisë.

“Me urdhër të Edi Ramës arrestohet sapo vuri këmbën në dheun e tij Ismail Morina, si hakmarrje për dronin që lëshoi në stadiumin e Beogradit me figurat e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit dhe që harboi fare ultranacionalistët serb më në krye serbomadhin Vuçiç”, ka shkruar ndër të tjera Berisha.


MË SHUME NGA Lajme