Ndërpritet seanca e Kuvendit, shkak mungesa e kuorumit
Foto/ RTKlive
Lajme

Ndërpritet seanca e Kuvendit, shkak mungesa e kuorumit

Naser Mekolli /RTKlive

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka njoftuar se nuk është i mundshëm vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës, pasi që në seancën që duhej të fillonte në ora 14:00 ishin prezentë vetëm 53 deputetë.

“Kemi pritur 25 minuta prej kohës kur kemi thënë se vazhdon seanca. Vetëm 53 deputetë po marrin pjesë në seancë, nuk është i mundshëm vazhdimi i kësaj seance. Këtë seancë do ta thërrasim për një vazhdim për javën tjetër”, tha Konjufca.

Në rend dite ishte shqyrtimi i dytë i Projektligjit për provimin e jurisprudencës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për pijet e forta alkoolike, shqyrtimi i dytë i Projektligjit 08/L-010 për krijimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit hapësinor në Republikën e Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve.

Po ashtu, në këtë seancë ishte paraparë edhe zgjedhja e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit si dhe e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media. Për shkak të mungesës së deputetëve në sallë, nuk u arrit as votimi i 16 amandamenteve të projektligjit për provimin e jurisprudencës.

Kuvendi shkon në pauzë deri në orën 14:00

Kuvendi i Kosovës, në mungesë të kuorumit ka ndërprerë punimet e seancës së sotme paradite dhe ka shkuar në pauzë deri në orën 14:00.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se në sallën e Kuvendit të Kosovës ishin të pranishëm vetëm 59 deputetë.

Për shkak të mungesës së deputetëve në sallë, nuk u arrit as votimi i 16 amandamenteve të projektligjit për provimin e jurisprudencës.

Tahiri-Muratit: Nuk i mbështesim marrëveshjet e dëmshme

Naser Mekolli /RTKlive

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili tha se opozita nuk po i voton marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe lidhur me diskutimin e tij për rritjen e pagës minimale, por edhe për disa çështje të tjera.

Tahiri, në seancën parlamentare tha se marrëveshjet që janë në të mirë të qytetarëve i kanë votuar, ndërsa atë për skemën sociale e ka konsideruar si të dëmshme.

“Sa i përket energjisë elektrike, se kemi kërkuar rritje të çmimit për të gjithë, kjo nuk është e vërtetë. Mos u mërzit, këtë vendim ta ka anuluar Gjykata. Ti ke kërkuar të rritet energjia elektrike. Është një vendim që është pezulluar, në fakt, nuk është anuluar, qytetarët kanë për të vazhduar ta pagujnë me tarifa të vjetra energjinë elektrike dhe kjo është një çështje që ka marrë fund, deri në vendimin e Gjykatës. Fatmirësisht, Gjykata ka vendosur ta pezullojë një vendim tuajin shumë të dëmshëm të qeverisë suaj për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike", deklaroi në fund shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Murati opozitës: Po refuzoni mbështetjen e qytetarëve

Muharrem Miftari/RTKLive

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj deklarimeve të opozitës, se qeveria nuk ka bërë asgjë.

Ministri foli edhe për krizën ekonomike, ngritjen e çmimeve, inflacionit, që, sipas tij, janë si pasojë e krizës globale.

“Ne, si Qeveri, kemi detyrë t’i mbështesim ata që kanë nevojë më së shumti dhe ata janë kategoritë e rasteve sociale. Qeveria për këto raste ka bërë rritjen e buxhetit për mbështetje të tyre që nga janari i këtej viti”, tha ai.

Ministri Murati, duke përmendur dështimin e marrëveshjes për skemën sociale, ka thënë se opozita po e refuzon ndihmën për qytetarët.

“Ne, në bashkëpunim me Bankën Botërore, kemi nisur një reformë për skema sociale, që kjo marrëveshje po sillet në Kuvend dy herë, por nga opozita, konkretisht PDK e LDK, po refuzohet. Pra, kur ne flasim për nevojën e ndihmës ndaj familjeve që kanë nevojë më së shumti, ju i refuzoni. Ne e sjellim marrëveshjen që zgjeron skemën sociale, ju e refuzoni atë, ndërsa, në anën tjetër bëni thirrje që t’i ndihmojmë qytetarët.

Së dyti, ka familje që kanë pagën e ultë. Ne, si Qeveri, kemi sjellë  ligjin për pagën minimale e ju, si opozitë, nuk e mbështetni, dilni nga seanca, e në mungesë të kuorumit nuk votohet ligji, ndërkohë qe bëni thirrje të mos votohet ligji për pagën minimale. Kështu po veproni edhe për ligjin për paga. Ne do ta sjellim dhe ju nuk do ta votoni”, tha Murati.

Lekaj: Qytetarët janë keq dhe po kërkojnë dorën e shtetit

Muharrem Miftari/RTKLive

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, foli për projektligjin e Trust-it dhe mosmarrjen e vendimit në Komisionin Parlamentar për Buxhet e Financa, për tërheqjen e parave nga Trust-i.

Ai, më tej, shtoi se Qeveria për këto raste ka bërë rritjen e buxhetit për mbështetje ndaj tyre që nga janari e këtej.

Deputeti Lekaj theksoi se kjo është zhgënjyese për qytetarët, të cilët presin mbështetje institucionale në mirëqenien jetës së tyre, sidomos tani kur çmimet po rriten shumë.

“Qytetarët janë keq dhe po kërkojnë dorën e shtetit, sepse po sfidohen në çdo moment”, deklaroi deputeti Lekaj nga AAK.

Deliu: Presidentja të kërkojë falje për shtrenjtimin e rrymës

Muharrem Miftari/RTKLive

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu, tha se duhet të kërkohet falje para qytetarëve, se i keni mbyllur sytë para kësaj padrejtësie që po u ndodhë qytetarëve të Kosovës me rritjen e çmimit të energjisë.

“ Derisa sot po flasim par juve njehsorët elektrikë, si matës të shpenzimeve të energjisë elektrike neperë shtëpi dhe banesa tuaj, janë duke u lexuar e tarifuar me çmime të shtrenjta të energjisë elekltrike. Siç e dini ky çmim i shtrenjtë dhe diskriminues me datën 8 prill u pezullua nga Gjykata Themelore. Ndërsa me 18 prill Gjykata e Apelit e refuzoi kërkesën e ZRRE-së duke i dhënë të drejtë kërkesës së PDK-së e duke vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë” ”, tha ajo.

Ka rreth dy muaj që vendimi i ZRRE-së është pezulluar dhe qytetarët vazhdojnë të paguajnë energjinë me çmime të shtrenjta. Kjo, sipas Deliut, përveç që është papërgjegjësi e madhe e Bordit të ZRRE-së, është edhe keqpërdorimi i detyrës zyrtare, por PDK ka parashtruar edhe kallëzim penal në Prokurori.

“Nga kjo foltore i bëj thirrje publikisht presidentes Osmnai që të dalë para qytetarëve që së pari t’ju kërkojë faleje atyre, sepse ka kërkuar që t’ju ngritet çmimi i energjisë elektrike, të deklarohet para opinionit edhe pas avokatit te popullit, sipas të cilit vendimet e ZRRE-së, janë diskriminuese dhe shkelin të drejtat e njeriut”, tha ajo.

Bajqinovci: Qeveria e vendosur të luftojë çdo formë kriminale

Naser Mekolli/RTKLive

Në emër të i Lëvizjes Vetëvendosje deputeti Mefail Bajqinovci foli për aksionet e Policisë së Kosovës. Ai mes tjerash theksoi se Qeveria e Kosovës është e vendosur të luftojë çdo formë kriminale dhe të kontrabandimit në vendin tonë.

“Vullneti politik është duke vepruar në funksion të sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, theksoi deputeti Bajqinovci.

Zemaj: Punëtorët shëndetësorë kanë mbetur pa paga tash e tre muaj

Naser Mekolli/RTKLive

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, foli për çështjen e punëtorëve shëndetësorë, sipas të cilit, mbi 1200 punëtorë shëndetësorë, si staf mbështetës në menaxhimin e pandemisë kanë mbetur pa paga tash e tre muaj.

“Ajo që është edhe më e keqja, ata kanë mbetur pa përgjigje zyrtare, kanë mbetur vetëm në ato rrugë joformale ku tash ka humbur edhe adresa e Ministrisë së Shëndetësisë “, theksoi, ndër të tjera, deputeti Zemaj.

LIVE - Nis seanca e Kuvendit

Naser Mekolli/RTKLive

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite janë: shqyrtimi i disa projektligjeve, zgjedhja e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit dhe zgjedhja e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media.

Seanca fillon me deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare, miratimi i procesverbalit nga seanca plenare e mëparshme, si dhe do të bëhet shqyrtimi i disa projektligjeve.

Sot mbahet seanca e Kuvendit, në rend dite disa projektligje

A.Bela / RTKlive

Sot me fillim në ora 10:00, Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare në të cilën në rend dite janë shqyrtimi i disa projektligjeve, zgjedhja e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit dhe zgjedhja e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media, raporton RTKlive.

Seanca do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare, miratimi i procesverbalit nga Seanca plenare e mëparshme, do të bëhet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për provimin e jurisprudencës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Pijet e Forta Alkoolike, shqyrtimi i dytë i Projektligjit 08/L-010 për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa