Sonte finalja e Kupës, Drita apo Llapi?
BKT
Sport

Sonte finalja e Kupës, Drita apo Llapi?

Fatmir Bytyqi /RTKlive

Garës prestigjioze në vendin tonë, Kupës së Kosovës në futboll, po i vjen fundi.

Finalja e madhe e kësaj gare luhet sonte në 'tempullin' ‘Fadil Vokrri’. Dy skuadrat e njohura në vendin tonë, Drita dhe Llapi do të përplasen në finalen e kësaj gare interesante.

Dueli mes këtyre dy skuadrave, parashikohet të sjellë një super-ndeshje për shkak të rëndësisë së kësaj ndeshje, por edhe për shkak të rivalitetit të madh mes këtyre dy skuadrave elitare në vendin tonë.

Të dy skuadrat tashmë e kanë siguruar daljen në garat evropiane, por objektiv i tyre është trofeu i Kupës së Kosovës.

Stadiumi ‘Fadil Vokrri’ pritet të prodhojë spektakël pasi që tashmë tifozët e të dy skuadrave, e që pritet të jenë në numër të madhe, janë përgatitur më kohë që të krijojnë atmosferë të zjarrtë në tribunat e stadiumit të kryeqytetit.

Llapjanët synojnë të mposhtin Dritën dhe këtë trofe të mbajnë edhe një vit në pronësinë e tyre, derisa gjilanasit janë të përgatitur më të gjitha forcat që këtë trofe ta çojnë në Gjilan.

Batatina: Kupa do të mbetet në Podujevë

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina është i bindur se Kupa do të mbetet në Podujevë.

“Mendoj që është një finale dhe gjithmonë e arrin objektivin kur arrish në finale. Grupi është jashtëzakonisht në formën e duhur dhe kemi kontingjent të lojtarëve shumë cilësor. Një grup i bashkuar me nivelin më të lart që ka arrit të jetë në finale duke u përballur me skuadrat më të forta siç është Gjilani, Ferizaj e Prishtina. Ne kemi ardhur në finale me plot meritë duke mposht skuadrat më të forta dhe do ta bëjmë maksimumin që nesër në ndeshje të paraqitemi në formën më të mirë të mundur”, theksoi Batatina në konferencën për medie.

Nuhiu: Duam të shkruajmë historinë

Optimist për fitore në finalen e Kupës së Kosovës, është shprehur edhe trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu.

“Është ndeshje futbolli, i kemi marrë masat. Kam besim te skuadra, gjithçka që kemi përgatitur do t’i nxjerrim në fushë. Kemi përballë skuadër të shkëlqyer. Do të mundohemi t’i shfrytëzojmë pikat e dobëta të kundërshtarit. Do të mundohemi të jemi vetvetja. Skuadra jonë ka dëshirë që ta ketë topin, kur nuk e kemi, do të mundohemi ta fitojmë sa më shpejt. Skuadra është e plotë, gati për të dalë në fushë. Duam të shkruajmë historinë, për Intelektualët, për stafin, për të gjithë”, pohoi Nuhiu.

Finalja mes Dritës dhe Llapit nis në orën 20:00.