“Hamami i Prishtinës”, monument i lënë pasdore (Video)
Rabije Kryeziu / RTK
Në qendër të Prishtinës e i rrethuar nga monumente të po së njëjtës rëndësi, afërsia me tri xhamitë historike, Sahat Kullën, me disa shtëpi nën mbrojtje dhe me një pazar, është vendi ku gjendet “Hamami i Madh i Prishtinë”. Ai është një monument që paraqet mundësi të zhvillimit dhe të ringjalljes së kësaj zone të rëndësishme për qytetin.
Data e saktë e ndërtimit nuk dihet, por në bazë të shënimeve që ekzistojnë mendohet të jetë ndërtuar në shek. XIV-XV, si një objekt publik i asaj kohe, i cili është shfrytëzuar nga qytetarët e Prishtinës me gjenerata të tëra. Hamami është i tipit çift, pra është shfrytëzuar nga meshkujt dhe femrat në të njëjtën kohë.
Në vitin 2006 OJQ Chwb në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, u morën vesh që të bëjnë restaurimin e “Hamamit të Madh”.
Por, asgjë nuk shkoi sipas parashikimeve Chwb, për shkak të pakënaqësisë së rrjedhës së punës se bërë në këtë projekt, pas kritikave të shumta drejtuar institucioneve relevante u tërhoq nga ky projekt.
Pavarësisht tendencës së vazhdueshme nga institucionet përgjegjëse që ky objekt i trashëgimisë sonë kulturore të restaurohet dhe konservohet, gjendja momentale e tij është për të ardhur keq. Në bazë të dy përgjigjeve nga Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prishtinës kuptohet se nuk ka një datë të saktë se kur do të rifillojnë punimet në këtë objekt.
Objekte të tilla të trashëgimisë kulturore, si ‘Hamami i Madh’ i Prishtinës, janë të rëndësishme , edhe për faktin se nëse ruhen dhe konservohen, çojnë në zhvillimin e turizmit kulturor, i cili po ashtu do të mund të ndikonte direkt në përmirësimin e sistemit ekonomik.
Ky monument me vlera të larta historike shoqërore dhe shpirtërore, që nga viti 1985, provohet si monument nën mbrojtje nga sekretariati i asaj kohe për arsim, shkencë dhe kulturë. Vazhdon të jetë monument i mbrojtur edhe sot.























