Dones: Ne shqiptarët jemi bijtë e dhimbjes
BKT
Foto: RTK
Kulturë

Dones: Ne shqiptarët jemi bijtë e dhimbjes

Kimete Kasumi/ RTKlive

Shkrimtarja shqiptare Elvira Dones ditë më parë, për emisionin “Qyteti i librave” të Radio Televizionit të Kosovës (RTK-së), ka folur për jetën dhe veprimtarinë letrare.

Dones ka treguar se sa herë që është në Shqipëri i kthehet nostalgjia për kohën e dikurshme.

“Unë kam tri shtëpi. Kam Shqipërinë, kam Zvicrën, kam Shtetet e Bashkuar të Amerikës. Por, shtëpia ime mbetet gjuha e nënës, mbetet Tirana, dhe sa herë që kthehem është sikur të kthehem në djep”, tha ajo.

Dones, përveç shkrimeve letrare dhe eseistike, merret edhe me dokumentarë.

“Udhëtoj midis dy gjuhësh të ndryshme komunikimi letërsisë, që eshë një formë narrative, por dhe dokumentarit, që është një formë tjetër narrative, një mënyrë tjetër për të treguar një histori ose disa histori”, shtoi ajo.

Dones ka botuar shtatë libra në gjuhën shqipe dhe tre në gjuhë italiane. Në librat e saj ajo dokumenton dhimbjen e jetës shqiptare.

“Ne shqiptarët jemi bijtë e dhimbjes. Ju në Kosovë e ne në Shqipëri për arsye të ndryshme kemi qenë dy popuj të vuajtur dhe mbetemi dy popuj të ngatërruar zorrësh tashmë me demokraci, por me demokraci shumë të brishtë, ende duke u zhvilluar, duke u bërë. Letërsia ime është historia e vendit tonë, historitë tona, historitë e dhimbjeve tona”, ka thënë Dones.

Libri “Luftë e vogël e përkorë”, në të cilin autorja ka trajtuar luftën e Kosovës gjatë 78 ditëve të bombardimeve, asaj i ka marrë shtatë vjet kohë për hulumtim derisa është bindur se libri është gati për t’u botuar.

“Unë erdha pesë herë në Kosovë derisa vendosa ta shkruaj librin për respekt të viktimave, për respekt kush e bëri luftën, për respekt të grave që e vuajtën po aq sa burrat bile, në një drejtim, vuajtën në një mënyrë të tmerrshme dhe tragjike. Pra, hulumtimi është metoda ime e punës”, shtoi Dones.

Libri tjetër i saj, “Yjet nuk vishen kështu”, sipas autores, ka qenë libri më i vështirë për shkak të temës që trajton, tragjidicitetit të saj - vajzat e trafikuara.

“Ka qenë më i vështiri për sa i përket tragjedisë sepse unë jetoja në Zvicër, fëmijët rriteshin, e kisha jetën time të rehatshme në atë çast, punoja për televizionin, bëja çfarë më kishte qejfi dhe në atë drejtim kam qenë me fat të madh sepse kam pasur producent, kolegë, njerëz të jashtëzakonshëm për sa i përket anës profesionale. Por ishte ajo periudha që vajzat shqiptare, tiranase, rrëmbeheshin nga shkollat, gënjeheshin nga vëllai, i fejuari, burri, hajt se po të gjej çoj në Itali, Francë, të gjejë punë si kameriere, infermiere”, rrëfeu Dones një pjesë të historisë së librit.

Veprat e shkrimtares Elvira Dones janë përkthyer në shumë gjuhë. Ndihmë për këtë sukses i ka ofruar agjenti letrar.

“Unë absolutisht nuk kam meritë, as s’jam lodhur, sepse unë kam një agjent letrar në Itali. Ai merret me gjithçka për botimin e librave të mi. Shkrimtarët që nuk kanë një agjent, e shkrimtarët shqiptarë dhe kosovarë nuk kanë agjent të letrave, e kanë jashtëzakonisht të vështirë, sado që bëjnë punë ministritë, sado që bëjnë punë politikat kulturore të Kosovës dhe të Shqipërisë, përkthimi letrar varet shpeshherë nga dëshira e mirë ose njohja e gjuhës të një përkthyesi që është i dashuruar me gjuhën shqipe, por ama është gjerman ose francez. D.m.th., gjuha e tij nga ai që përkthen do të jetë nga shqipja drejt gjuhës amtare dhe nuk mund të funksionojë përkthimi me një njëri që e ka gjuhë të dytë”, tha Dones.

Dones tha se pengesë të madhe shkrimtarët shqiptarë kanë për shkak se vijnë nga një gjuhë e vogël, megjithatë ka perla të shkëlqyera që mund të botohen dhe mund të kenë sukses.


MË SHUME NGA Kulturë