I njohur për rolin e “Tomkës”, ndahet nga jeta aktori Enea Zhegu
BKT
Foto: RTSH
Kulturë

I njohur për rolin e “Tomkës”, ndahet nga jeta aktori Enea Zhegu

/rtsh.al/

Është ndarë nga jeta në moshën 57-vjeçare aktori i njohur i kinematografisë shqiptare, Enea Zhegu.

Aktori vuante nga një sëmundje e rëndë, ndërsa lajmi për ndarjen e tij nga jeta është bërë me dije nga postimet e miqve të aktorit në rrjetet sociale.

Ilir Çumani ka shkruar në një postim në Facebook se sëmundja e mundonte aktorin prej vitesh me radhë.

“Sa e trishtë është kjo ikja jote prej turravrapi në këtë fundpranvere o Artist i lindur, Enea Zhegu…! E luajte edhe dramën e ikjes pa kthim, njësoj si tek personazhet e roleve në filmat e tu aq të mrekullueshëm, kaq mbresëlënës, të cilat do të mbeten përgjithmonë të gjalla në kujtesën e publikut, të paharruara për të gjitha brezat. Ti ike duke bashkudhëtuar në heshtje për vite me radhë, në një betejë me dhimbjen që të shkaktonte sëmundja tekanjoze e kapricioze, por asnjëherë dhe në asnjë çast nuk e lëshove veten, sepse jetove si qëndrestar stoik në përballje me atë flamë që pak nga pak kafshonte pjesë nga trupi yt vital…! Shpesh i padrejtë dhe i pamëshirë tregohet fati me Njeriun, por ti i shpërfille të dyja këto, sepse dite të ishe sfidant okatar dhe jetove si një artist i pazakontë deri sa dhe frymën e fundit… Por, e trishtë gjithsesi mbetet kjo ikja jote për të gjithë të afërmit, miqtë dhe adhuruesit e tu që i kishe pafund, kudo nëpër Shqipëri…. Lamtumirë Ena…. Pusho në Paqen tënde qetësinë e merituar…! R.I.P”, shkruan ai.

Zhegu ka qenë pjesë e disa prej filmave më të famshëm shqiptar, por më së shumti njihet për rolin si “Tomka” në filmin e regjisores Xhanfize Keko, ‘Tomka dhe shokët e tij’. Po ashtu ai ka luajtur në filmin “Lulëkuqet mbi mur”, “Njeriu me top”, “Një jetë më shumë”, etj.


MË SHUME NGA Kulturë