VIDEO-Vaksinimi vazhdon të funksionojnë me metodën manuale
Besjana Mulaj/ RTK
Shumë shërbime të shëndetësisë në vend tashmë janë digjitalizuar, dhe kjo e ka lehtësuar në masë të madhe punën e stafit mjekësor, por vaksinimi i rregullt ende nuk është pjesë e Sistemit Informativ Shëndetësor. Andaj regjistrimet dhe hulumtimet e rasteve të vaksinimit ende bëhen në mënyrë manuale, e për këtë proces të punës janë ankuar punëtorët shëndetësorë.
Nga ekspertët mjekësorë vlerësohet se Kosova ka shkallën më të lartë të vaksinimit të rregullt në rajon, i cili përfshin fëmijët që nga lindja e deri në moshën 18 vjeçare, por procesi i regjistrimit të rasteve ende nuk është digjitalizuar, raporton RTK.
Infermierët dhe mjekët e qendrës kryesore të mjekësisë familjare në Prishtinë, ende punojnë me metodën manuale, të evidentimit dhe hulumtimit të vaksinuarve.
Nga Ministria e Shëndetësisë, përmes një përgjigjeje me shkrim, thonë se moduli i vaksinimit të rregullt dhe me indikacione është modul i financuar nga UNICEF, zyra në Kosovë, dhe është zhvilluar dhe implementuar vitin e kaluar.
Praktikisht vaksinimi për gripin sezonal është realizuar përmes këtij moduli dhe jemi në proces për vazhdimin me evidentimin edhe të vaksinimit te rregullt e cila pritet të funksionalizohet shumë shpejt thuhet në përgjigjen e Ministrisë.























