Pse Hovenier, për 5 muaj, kreu 3 vizita në manastiret ortodokse në Kosovë?
Jeton Musliu / RTKlive
Në Prishtinë mbërriti me 9 janar të këtij viti. Nga ajo kohë e deri më tani, brenda pesë muajve, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffery Hovenier, tri herë vizitoi manastiret ortodokse serbe në Kosovë. Nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, japin një përgjigje për RTKlive.
Dy herë brenda disa muajsh,ambasadori Hovenier e vizitoi Manastirin e Deçanit e një herë atë të Graçanicës.
Me 23 shkurt 2022, ambasadori I SHBA-së në Prishtinë, bazuar në deklarimet në Twitter, qëndroi në Manastrin e Graçanicës. Aty u prit nga peshkopi Teodosije.
“I kënaqur të takoj peshkopin Teodosije dhe të vizitoj Manastirin historik të Graçanicës dhe të riafirmoj mbështetjen e SHBA-së sovranitet, pavarësi dhe shumë-etnicitet të Kosovës, që respekton dhe siguron lirinë e besimit për të gjithë qytetarët”, shkroi Hovenier.
Një javë më vonë, me 2 mars 2022, kreu i diplomacisë amerikane në Kosovë, vizitoi Manastirin e Deçanit. Atje u prit nga Igumeni Sava Janjiq.
“I nderuar të takoj sot At Savën dhe të shëtis në Manastirin e Deçanit, monument i trashëgimisë botërore të UNESCO-s dhe thesar i trashëgimisë globale dhe të riafirmoj mbështetjen e SHBA-së për sovranitet dhe shumë-etnicitet të Kosovës që respekton dhe siguron lirinë e besimit dhe trajton në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët”, pati shkruar Hovenier pas kësaj vizite.
Një vizitë të dytë, brenda pak javësh në këtë manastir, Hovenier e pati së bashku edhe me kolegët e tij, ambasadorë të vendeve të QUINT-it, të cilën ai në Twitter e publikoi disa ditë më parë, përkatësisht me 24 maj 2022.
“I kënaqur që bashkë me kolegët nga kori diplomatik në Kosovë të vizitojmë Manastirin e bukur e historik të Deçanit”, shkroi Hovenier në Twitter.
Për arsyet e vizitave relativisht të shpeshta të ambasadorit amerikan në manastiret ortodokse, RTKlive ka pyetur Ambasadën Amerikane në Prishtinë.
Megjithatë, pyetjeve nëse ka ndonjë mesazh specifik që z. Hovenier dëshiron të përcjellë për kosovarët me këto vizita, apo nëse të njëjtat po bëhen tërhequr më shumë vëmendjen e institucioneve për çështjen e pronave të Manastirit të Deçanit, meqë ka një aktgjykim të Kushtetueses për këtë çështje, që ia njeh ato prona këtij manastiri, Ambasada vendosi të përgjigjet me komunikatën e fundit të lëshuar nga vendet e QUINT-it.
Kjo komunikatë është lëshuar me 20 maj 2022 dhe ndodhet e publikuar në faqen zyrtare të Ambasadës Amerikane në Kosovë.
“Pozicioni i SHBA-së lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për Manastirin e Deçanit, mbetet e njëjtë”, shkruan në përgjigjen zyrtare të Ambasadës Amerikane për RTKlive.
“Më duhet t’ju referoj në deklaratën e fundit të ambasadorëve të vendeve të QUINT-it, përfshirë edhe ambasadorin Hovenier”, shkruan në këtë përgjigjen e ambasadës.
E në këtë deklaratë, shkruan se në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konfirmoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë.
“Pavarësisht këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave të mëvonshme, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar”, shkruan në deklaratën e ambasadorëve të vendeve të QUINT-it.
“Zbatimi i shtetit të së drejtës dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë detyrime për të gjitha qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike. Ato janë gjithashtu parakushte të nevojshme për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”.
Në deklaratë shkruan se shefat e misioneve diplomatike të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara janë të bashkuar në mbështetje të së ardhmes demokratike dhe evropiane të Kosovës.
“Prandaj, ripërsërisim thirrjen tonë drejtuar Qeverisë së Kosovës që të vazhdojë pa vonesa të mëtejshme në zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.
Në shtatorin e vitit 2021, Gjykata Kushtetuese ka njoftuar që Aktgjykimi i saj i viti 2016 për Manastirin e Deçanit nuk është zbatuar nga autoritetet përgjegjëse. Kushtetuesja ka rikujtuar se vendimet e saj duhet të zbatohen nga të gjithë.
Kushtetuesja ka ritheksuar se zbatimi i vendimeve të saj është detyrim për të gjithë personat dhe institucionet e Kosovës.
























