VIDEO - Zjarr i fuqishëm në Tetovë, lëndohen tre zjarrfikës
BKT
Lajme

VIDEO - Zjarr i fuqishëm në Tetovë, lëndohen tre zjarrfikës

Besnik Iseni /RTK

Nga zjarri i fuqishëm që shpërtheu në fabrikën për prodhimin e stiroporit "Pofix ", në Tetovë, tymi për disa orë mbuloi këtë qytet. Gjatë intervenimit, janë lënduar tre zjarrfikës ndërsa njoftohet edhe për dëme të konsiderueshme materiale.

Tymi i zi për disa orë mbuloi Tetovën. Rreth 100 zjarrfikës nga Tetova, Shkupi dhe Gostivari dhe dy helikopterë të Armatës së Maqedonisë së Veriut u angazhuan për shuarjen e zjarrit të fuqishëm që shpërtheu paradite në fabrikën për prodhimin e stiropolit "Pofix " në Tetovë.

Një hallë e madhe është ajo që për momentin po digjet, rrezikohen edhe dy objekte anash, me gjithë atë i kemi nën kontroll. Brenda fabrikës ka materie djegëse, bëhet fjalë për stiropol, zjarri është i lokalizuar”, ka thënë Avni Ahmeti, zëvendëskomandant i Zjarrfikësve në Tetovë.

Gjatë intervenimit, janë lënduar tre zjarrfikës.

“Kemi disa zjarrfikës të qytetit të Tetovës të lënduar, për fat të mirë nuk kemi zjarrfikës ë lënduar nga qytete të tjera”, tha Ahmeti.

Ekipe për matjen e ndotjes dolën në vendin e ngjarjes dhe konstatuan se nuk ka gazra helmues në ajër.

"Skuadra për armë atomike, kimike dhe biologjike ka konstatuar se nuk ka gazra helmues në ajër nga zjarri në Tetovë .Por,është e dukshme se ka grimca PM 10", ka thënë, Stojançe Angellov, drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza

Ndërsa sipas kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, zjarrin mund ta ketë shkaktuar ndonjë kontakt i rrymës elektrike me ujin pas reshjeve të mëdha të shiut që ranë dje në qytet.

 


MË SHUME NGA Lajme