Krasniqi: Krijimi i Gjykatës Speciale ishte i domosdoshëm
Jeton Musliu / RTKlive
(E plotësuar) Sot ish kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka ditëlindjen. Ai mbush 55 vjeç. Në këtë intervistë, kryetari aktual i kësaj partie, Memli Krasniqi tha se që në mëngjes, e ka uruar Veselin.
“Dhe më vjen shumë keq që keq se ku po e pret atë ditëlindje. Por i kam vizituar dhe i njoh se si janë dhe në çfarë gjendje janë”, thotë Krasniqi në intervistë për ‘RTK PRIME’.
“ Kjo është një barrë jo personale për ta, por për tërë luftën për liri”.
Krasniqi u shpreh se është e vërtetë se kjo gjykatë është votuar nga PDK-ja për t’u krijuar, por nuk po merret me atë për të cilën është themeluar.
“Kjo gjykatë nuk po merret me ato dyshime të çmendura të raportit të Dick Martyt”, thotë Krasniqi.
Ai rikujton edhe kohën kur është votuar Gjykata Speciale, pikërisht nga deputetët e PDK-së.
“I gjithë faktori ndërkombëtar na ka thënë se kjo e zezë duhet të hiqet duke inkurajuar të votohet. Ne kemi thënë se nuk kemi pse t’i ikim të vërtetës, sepse nuk ka pasur çfarë të fshihet. Ata deputetë e kanë votuar, por nuk e kanë pritur se do të dalë kështu”.
Kryetari i PDK-së u shpreh se iniciativa ka qenë që Gjykata Speciale të jetë në Kosovë dhe kjo ka qenë iniciativa e atëhershme në Kuvendin e Kosovës.
“Kjo gjykatë është sipas ligjeve të Kosovës, por kjo gjykatë nuk i jep askujt llogari, as Presidentes, as Kuvendit as KGJK-së dhe askujt”, u shpreh kreu i PDK-së.
Ai thotë se është i bindur se përkundër telasheve me të cilat po ballafaqohen të akuzuarit në Hagë, drejtësia është në anën e popullit të Kosovës.
“E drejta është në anën tonë sepse UCK ka mbrojtur pragun e shtëpisë së vet”.
Ai tha se shpreson se nuk do të jetë procesi i gjatë gjyqësor.
“Është e pakuptimtë që deri më tash nuk është aplikuar mbrojtja në liri. Si ka mundësi që ata të ikin kur vetë janë dorëzuar”, u shpreh Krasniqi, duke shprehur habinë për vendimet e njëpasnjëshme të gjykatës që ua refuzon Thaçit e të tjerëve kërkesat që të mbrohen në liri.
“Në kontekstin e atëhershëm, nuk ka pasur mundësi të mos krijohet kjo gjykatë”, rikujtoi Krasniqi.
Sipas tij, duke nisur nga sponsorizuesit e pavarësisë së Kosovës, si SHBA e të tjerët, të gjithë thoshin se duhej të hiqet kjo njollë e zezë, për ato dyshimet të ngritura.
“Na thoshin, se po thuhet se njerëzit tuaj kanë shitur veshkë”, thotë Krasniqi, duke shpjeguar kërkesat e miqve ndërkombëtarë që kërkonin që Gjykata të krijohet.
“Por puna e Gjykatës ka devijuar dhe nuk është duke u marrë me pretendimet për të cilat është krijuar”.
Në këtë rast ai tha se shteti ka vetëm një rol, e ajo është ndihma financiare ndaj ekipeve mbrojtëse, për të akuzuarit dhe familjarët e tyre, për t’iu lehtësuar shpenzimet.
Krasniqi: Ju shpjegoj Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së
(E plotësuar) Në intervistë në “RTK PRIME”, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, thotë se kjo parti, ka ngritur model të ri për Kosovën, por jo model të ri për botën.
“Qeveritë në hije kanë buruar në Angli e pastaj kanë vazhduar në vende të tjera”, thotë Krasniqi.
Ai tregon se për këtë forcë politike, një veprim i tillë ka dhënë rezultatet e veta që në vitin 2005.
“E kemi edhe në statut që kur është PDK në opozitë, e themelon Kabinetin për Qeverisje të Mirë, por për shkak të zgjedhjeve lokale dhe çështjeve të tjera, këtij procesi i kam dhënë më shumë kohë e gjithashtu për të pasur më shumë diskutime brenda strukturave tona dhe ekspertëve të jashtëm”.
Krasniqi u shpreh se qëllimi i Kabinetit për Qeverisje të Mirë, është dhënia e alternativave më të mira për çështje të ndryshme.
“Përmes këtij kabineti, ne do t’u tregojmë qytetarëve se cila do të jetë pasqyra e qeverisës tonë duke filluar edhe nga përbërja e Qeverisë, kur të marrim besimin e tyre për të qeverisur vendin”.
Krasniqi: Dialogu ka degraduar, tani po merren me targat
(E plotësuar) Në këtë intervistë, kryetari i PDK-së foli edhe për procesin e dialogut me Serbinë.
Ai thotë se Kurti do edhe di të flasë, por veprime prej tij nuk ka.
“Faktet nuk ndryshojnë me fjalime të mira sepse tani është kryeministër. Është hera e parë në pesë vitet e fundit që del një deklaratë e një përfaqësuesi të SHBA-së dhe nuk përmendet njohja e ndërsjellë”, thotë Krasniqi.
Ai rekomandoi të lexohet komunikata për media e këshilltarit për siguri të presidentit Biden, Sullivan, i cili e ka falënderuar Kosovën për refugjatët afganë, dhe që SHBA-së i vjen mirë që Kosova është në linja të njëjta sa i përket Rusisë.
“Dhe kaq. Ai nuk e përmend njohjen e ndërsjellë as çështjen me Serbinë, kurse në të gjitha komunikimet e kaluara është përmendur njohja e ndërsjellë, që nga koha kur Biden ka qenë zëvendëspresident, pastaj Trump dhe tash Biden”, thotë kryetari i PDK-së, Krasniqi.
Ai thotë se procesi i dialogut ka degraduar. “Në qendër të dialogut janë targat e veturave. Njohja e ndërsjellë ka qenë kërkesë, derisa Kurti u bë kryeministër e Bislimi po merret me dialog, e tani në qendër të bisedimeve janë targat e veturave”.
Krasniqi deklaron se absolutisht asnjë hap nuk është bërë përpara në dialog, por vetëm prapa.
“Por ky duhet me qenë shqetësim i kryeministrit dhe jo yni. Ne i kemi ofruar mbështetje në këtë proces. Për arritje të njohjes së ndërsjellë. Por më shumë se dialogun, më me rëndësi e kemi çështjet ekonomike”.
Krasniqi refuzon “Ballkanin e Hapur”-shpjegon pse?
(E plotësuar) Sa për nismën për “Ballkanin e Hapur”, kryetari i PDK-së, meli Krasniqi, deklaron se e ka thënë edhe më parë se ka shumë rezerva.
“Mendojmë që nuk është formati i duhur për të arritur qëllime. Qëllimet janë të mira dhe janë të ngjashme me ato të ‘Procesin të Berlinit”, thotë Krasniqi në intervistë në “RTK PRIME”.
Ai thotë se qarkullimi i lirë i njerëzve, mallrave e ideve, beson se janë të mira sepse edhe vetë beson në tregun e lirë.
“Por duhet të dalim përtej parimeve dhe të flasim për realitetin. Kosova e Serbia kanë konflikt të ngrirë, nuk kanë raporte normale dhe nuk po duket që do të kenë për një periudhë të caktuar”, thotë Krasniqi.
Kreu i PDK-së rikujton se në këtë rast po flitet për Serbinë si pjesë e “Ballkanit të Hapur”, shtet ky që mundohet ta zhbëjë shtetësinë e Kosovës dhe e lufton me të gjitha mjetet diplomatike e ekonomike.
“Me kryeministrin Rama kemi dallime në mendime. Por edhe kryeministri i Malit të Zi, Abazoviq e mbështet ‘Ballkanin e Hapur’ derisa presidenti Gjukanoviq është kundër”, risjellë në vëmendje Krasniqi, mospajtimet që janë në rajon për këtë iniciativë.

“Kemi diskutuar edhe me Gjukanoviqin kur ishte në Kosovë. E kemi diskutuar edhe me Ramën sepse nuk janë qëndrime të reja. Mund të jetë fatkeqësi, por ende Ballkani perëndimor nuk ka arritur të stadin e normalitetit që të ketë iniciativa të tilla pa mbikëqyrjen ndërkombëtare”.
Krasniqi deklaron se kjo ka qenë arsyeja që në ‘Procesin e Berlinit’, ka pasur një lloj rehatie sepse sponsorizuese ishte kancelarja Angela Merkel.
“Ka mosbesim mes vendeve. Mund të kuptoj perspektiven e z. Rama e atij të Maqedonisë sepse nga perspektivat e tyre, ata nuk i kanë situatat me Serbinë sikurse që ka Kosova. Por ndonjëherë mund të mos e kuptojnë saktë situatën dhe perspektivën tonë”.
Kryetari i PDK-së tregon se në këtë situatë, Kosova nuk mund të jetë pjesë e “Ballkanit të Hapur” sepse ka telashe të tjera mes Serbinë.
“Për Serbinë do të ishte e pranueshme që Kosova të sillet normalisht e pastaj hajt se po e vazhdojmë dialogun. Kjo sepse në aspektet tjera e kemi të vështirë ta konkurrojmë, përfshirë edhe ekonominë e tregtinë”.
Krasniqi thotë se që nga koha kur Kurti e hoqi masën e reciprocitetit ndaj mallrave të Serbisë, ato kanë vërshuar në Kosovë.
Vizita e Kurtit në SHBA, sipas Krasniqit, ishte dështim
(E plotësuar) Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e cilëson të dështuar vizitën e kryeministrit Albin Kurti në SHBA.
“Askënd nuk e ka takuar në Shtëpinë e Bardhë. Sullivan si këshilltar i Presidentit Biden për siguri, është njeri me rëndësi. Por nuk e ka takuar Kurtin në Shtëpinë e Bardhë”, thotë Krasniqi në këtë intervistë.
Ai bën një krahasim. “Për dallim nga z. Kurti, ne kemi hyrë në Shtëpinë e Bardhë edhe jo një herë, por disa herë. Ju siguroj se ajo fotografi te ato shkallë, nuk është Shtëpia e Bardhë, por një aneks jashtë kompleksit të Shtëpisë së Bardhë”, thotë Krasniqi.
Sipas tij, këshilltari Sullivan dhe çdo këshilltar në Shtëpinë e Bardhë, zyrën e vet ku punon e ka në Shtëpinë e Bardhë.
“Kjo pjesë ku ishte z. Kurti është njëfarë kompleksi ekzekutiv ku punon stafi dhe aty shkojnë edhe zyrtarë shumë të ultë se Kurti. Në të njëjtën kohë, ka qenë edhe kryeministri i Greqisë dhe e keni parë se ka qenë me bashkëshorten në Shtëpinë e Bardhë, ku është pritur nga Presidenti dhe zyrtarë të tjerë të lartë”, thotë ai.
Kryetari i PDK-së thotë se Kosova nuk e pati kryeministrin as në Shtëpinë e Bardhë dhe as në Departament të Shtetit. E kjo, thotë ai, për ata që marrin vesh e duan të shohin, është shqetësim, jo për z. Kurti, por për vendin.
“I kanë shkruar 50 kërkesa për takime, por nuk kanë marrë përgjigje. E përse, as unë nuk e di përgjigjen përse nuk po e takojnë”. Sipas Krasniqit, Kurti nuk poe përfaqëson vetën.
“Ama është shqetësim. Nuk është problemi tek Albin Kurti, por tek ai si kryeministër i Kosovës. Ai nuk e përfaqëson veten, por shtetin tonë”.
Krasniqi rikujton se presidentët dhe kryeministrat e Kosovës në të kaluarën, kur kanë shkuar në SHBA, pesë ditë kanë qëndruar ose më së shumti gjashtë ditë me gjithë rrugë, dhe kanë shkuar në Shtëpi të Bardhë e në Departamentin e Shtetit.

“Unë kam qenë vetë dy herë dhe atë si pjesë e delegacionit të ish kryeministrit Thaçi e jemi takuar edhe më zëvëndës presidentin që tani është president i SHBA-së, Biden”, risjellë në vëmendje Krasniqi.
“Por në raste të tjera është takuar me zëvëndës presidentë të tjerë si me z. Pence, ose së paku me Sekretarin e Shtetit, qoftë me Popmeon apo në kohë të caktuar me znj. Clinton, e të tjerë që ishin në këto pozita”.
Sa për investimet që Kurti ka thënë se do të mund të vijnë nga SHBA në Kosovë, Krasniqi u shpreh se për të shpresuar se kjo do të ndodhë, dikush edhe mund të shpresojë.
“Por këto nuk bëhen kështu, duke vizituar kampuse për gjysmë ore e pa plan konkret. Si mund t’iu thuash kompanive miliardësh, se mirë do të ishte të vinit nga Kosova se kemi nevojë për ju?”.
Krasniqi: Aplikimi në Këshill të Evropës, ishte me vonesë
(E plotësuar) Krasniqi thotë se ndikimi i Rusisë në Këshill të Evropës ka qenë shumë i madh dhe për këtë arsye, nuk ka mundur që kjo të ndodhë në kohën kur PDK ishte në Qeveri apo edhe më parë.
“Në momentin që Rusia e Bjellorusia janë tërhequr ka ndryshuar situata sepse prania e tyre në Këshill, nuk ka qenë e favorshme as për shtete tjera të jenë në linjë me Rusinë”, thotë Krasniqi.
Sipas tij, momenti ka qenë shumë i favorshëm. “Asnjë anëtarësim nuk ndodhë pa mbështetje të SHBA-së”, konkludon kreu i PDK-së në intervistë për “RTK PRIME”.
“ Por nuk ka pasur koordinim. E arsyetimi i Qeverisë ishte se kanë qenë duke u koordinuar. E nuk ka koordinim sepse anëtarësimi i Kosovës nuk ishte në rend të ditës së Këshillit të Ministrave”.
PDK dhe bashkëpunimi opozitar
(E plotësuar) Kryetari i PDK-së, në emisionin “RTK PRIME”, deklaron se në situata të caktuara, kjo parti ka pasur qëndrime të njëjta si opozitë.
"Kemi arritur ta bindim njëri-tjetrin për të drejtën. Tek puna e Trustit nëse nuk gaboj. LDK-ja ka qenë kundër, por kemi pasur diskutime dhe më vjen mirë që edhe ata janë tani pro”, thotë meli Krasniqi, kryetar i PDK-së.
Ai tregon se përtej asaj që mësohet në libra, tani po ballafaqimi është me situatën ekonomike.
“Edhe tek çështja e energjisë, për ne ka qenë befasuese kundërshtimi nga ana e pushtetit për të krijuar Komision Hetimor sepse nuk ka ndodhur kurrë në Kosovë një rezistencë e tillë”, thotë ai.
Krasniqi tregon se PDK-ja ka besuar se komisioni krijohet me procedurë të thjeshtë me 6 nënshkrime, por u desh të vazhdohet me edhe me 40 nënshkrime.
“Kur edhe ligji thotë se vetëm caktohet komisioni, pra vetëm emrat duhet të jepen, atëherë pati situatë shumë problematike që për mua ishte rrezikim i traditës parlamentare në Kosovë, sepse ishte një arrogancë e numrave që rrezikonte të shkelte në mënyrën më jodemokratike të drejtën e opozitës për të ushtruar detyrat e veta, siç ishte hetimi parlamentar”, thotë kreu i PDK-së.
Ai thotë se jo vetëm që kishte injorim dhe neglizhencë nga ana e kryeministrit dhe e qeverisë, por kishte edhe shprehje e të jo kompetencës së kryeministrit kur tha se nuk ruhet rryma në frigoriferë dhe se e njëjta nuk merret në avans.
“Pastaj doli se as ministrat e linjës nuk e dinin si funksionin kjo punë e që është fatkeqësi”.
Krasniqi thotë se për çfarëdo çështje në interes të qytetarëve, PDK do t’i bashkohej të gjithëve.
“ E kemi mbështetur edhe qeverinë si për çështjen e dialogut apo luftës në Ukrainë. Ne i kemi ofruar mbështetjen edhe për aplikim për antarësim në Këshillin e Evropës”.
Përse PDK kërkon edhe një tërheqje të kursimeve nga Trusti?
(E plotësuar) Në intervistën për RTK-në, në emisionin “RTK PRIME”, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, përballë gazetares Fitore Rexhepi, po jep shpjegimet e tij,përse ai dhe partia që drejton, mendojnë se një tërheqje e dytë e parave nga Trusti nga ana e qytetarëve është shumë e nevojshme.
Krasniqi thotë se tërheqja e parëve nga Trusti është iniciativë e PDK-së dhe deputetit të saj, Bekim haxhiu. Ai thotë se PDK-ja i ka dhënë mbështetje kësaj inictaive sepse konsideron se është përgjigje e nevojshme karshi krizës së madhe ekonomike me të cilën po ballafaqohen qytetarët, tani pas pandemisë.
“ Kemi rritje të madhe të çmimeve. Ajo që u intereson qytetarëve tanë është se ata nuk mund të blejnë njësoj sikurse para disa muajsh”, thotë Krasniqi në RTK.
Kreu i PDK-së deklaron se rritja e çmimeve është rekorde dhe në Kosovë më e larta nga vendet e tjera të rajonit.
“Përtej inflacionit zyrtar, rritja e çmimeve ka kaluar deri në 200%”, thotë Krasniqi.
Kryetari i PDK-së shprehet se ka rritje deri në 30% të çmimeve të konsumit, e madje vetëm në tri vitet e fundit.
“ Qeveria nuk ka pasur kurajo të rrisë paga as në sektorin publik e as në atë privat. Tani duhet të gjendemi në situatë të tillë dhe në mungesë të iniciativës së Qeverisë, të bëjmë diçka”, thotë Krasniqi.
“Kjo është arsyeja se përse pas shumë diskutimeve kemi çuar përpara projektligjin për tërheqje të parave nga Trusti, varësisht nga shumat kursimeve që qytetarët mund të kenë”, u shpreh kreu i PDK-së.
I pyetur se përse dikush që ka më shumë para në Trust, PDK ka propozuar të tërheqë më pake dikush që ka më pak, të tërheqë më shumë, Krasniqi e ndërlidh këtë me shumën e parave.

Sipas tij, nëse dikush ka më shumë para në Trust, përqindja prej 10% është relativisht e lartë që mund të marrë, kurse ai që ka më pak, nëse do të merrte gjithashtu 10%, nuk do të mund të tërhiqte ndonjë shumë të madhe, prandaj është vendosur të propozohet që ata të mund të marrin deri në 30%.
Sidoqoftë, për këtë situatë të rëndë ekonomike, që sipas Krasniqit tani ekziston, përgjegjës është Qeveria.
“Qeveria nuk ka liruar tatimet mbi produktet bazë e masa të tjera, por ka vepruar ndryshe”.
I pyetur se për të tërheqjen e parave nga Trusti, ka kundërshtuar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, Krasniqi tha se sikur të dëgjohej FMN-ja, nuk do të kishte as autostrada sepse edhe në atë kohë, kur planifikoheshin të ndërtoheshin, ata ishin absolutisht kundër.
“ Por u kemi shpjeguar në atë kohë për nevojën që për ta transformuar Kosovën dhe për rritje të shkëmbimit të mallrave. Në Qeverinë Thaçi 2, FMN-ja ka qenë absolutisht kundër rritjes së pagave. Pra, FMN në esencë është institucion që qëllim kryesor ka të qenit konservator në shpenzimin e parasë publike”, thotë Krasniqi.
Ai tregon se në tërheqjen e parë, nga Trusti qytetarët morën rreth 300 milion euro. Sipas tij, e mira do të ishte që Qeveria të merrte përsipër kompensimin në kohë më të gjatë.
“Nëse 500 milion euro tërhiqen nga Trusti, e mira do të ishte që qeveria të thoshte se përgjatë pesë viteve, do t’i kompensonte ato para me nga 100 milion euro në vit”.
Intervistë me Memli Krasniqin, kryetar i PDK-së
Pse PDK-ja ka krijuar Kabinetin për Qeverisje të Mirë apo përse PDK-ja kërkon që qytetarëve t’u mundësohet edhe një tërheqje e parave nga Trusti i Kurimeve Pensionale?
Për këto pyetje, por edhe shumë të tjera, përgjigje përballë gazetares Fitore Rexhepi, jep kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.























