KDI: Prishtina komuna më transparente në qeverisje, e dyta Rahoveci
Për gjetjet e raportit të KDI-së për transparencën e qeverisjeve lokale në nivel vendi dhe për metodat e përdorura në këtë hulumtim si edhe për krahasimet ndër vite, flet Diana Metushi-Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Ajo në “Lajmet e Fundit” në RTK, tha se Indeksi i transparencës në qeverisjen lokale për vitin 2021 e rendit komunën e Prishtinës si qytetin më transparent me 82.02 pikë nga 100, në 87 treguesit e matur, pasuar nga komuna e Rahovecit (80.97 pikë), kurse në vendin e fundit për transparencë është Leposaviqi dhe tri komunat tjera në veriun e Kosovës.
Sipas saj, metodologjia e matjes së transparencës në qeverisjen lokale është e njëjtë me vitet e mëparme, veçse është rritur numrin i indikatorëve të matjes. Kjo metodologji matet me punën në faqet e tyre zyrtare, punën e prokurimit, në shpejtësinë e përgjigjes në pyetjet e qytetarëve e shumë indikatorë të tjerë.
Diana Metushi-Krasniqi, gjatë prezantimit të gjetjeve kryesore të raportit, tha se përkundër rritjes prej 112% të indikatorëve matës komunat e Kosovës kanë arritur një transparencë të përgjithshme prej 56% në politikat e përzgjedhura.
“Këtë vit kemi një rritje një përparim në transparencën e qeverisjes lokale në nivel vendi. Komuna duhet të jetë sa më afër qytetarët dhe ti informojë më mirë ata”, thotë Metushi-Krasniqi.
Sipas saj, ndërmarrjet publike nuk kanë informuar sa duhet qytetarët, si për shembull kompanitë e ujësjellësit, shërbimin për mbeturinat . Komunat, thotë ajo duhet të shtojnë transparencën në këtë fushë.
Kurse Smajl Latifi, kryetari i komunës së Rahovecit, komuna më transparente pas Prishtinës, shprehet i kënaqur me këtë rezultat dhe thotë se matja nga KDI ka qenë korrekte dhe se kjo komunë ka shënuar përparim në krahasim me një vit më parë. “Do të intensifikojmë punën tonë dhe besoj se vitin tjetër do të jermi në vendin e parë. Progresi do të vazhdojë me përkushtim e përgjegjësi të lartë edhe në vitet në vijim”, tha Latifi për RTK.























