Presidentja deklarohet nga Peja, për çështjen e Trustit
BKT
Foto: RTKLive
Lajme

Presidentja deklarohet nga Peja, për çështjen e Trustit

Kimete Kasumi/ RTKlive

Presidentja Vjosa Osmani po vazhdon vizitat nëpër komunat e Kosovës. Në Pejë, ajo foli ndër të tjera edhe edhe për tërheqjen e mundshme të parave nga Trusti deri në 30 për qind.

(E plotësuar ora: 13:00)

Sot Osmani ka vizituar Pejën, ku është pritur nga kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri.

Osmani tha se projektet e fushës së turizmit duhet të përkrahen dhe të shtyhen përpara në mënyrë që të shtohet punësimi dhe Peja të shndërrohet atraksion ndërkombëtar.

“Sa i përket fushës së turizmit dhe disa prej projekteve të cilat kanë ngecur e për të cilat duhet domosdoshmërisht të përkrahen e të shtyhen përpara qoftë për shkak se krijojnë vende të reja të punës, po ashtu për shkak se e shndërrojnë Pejën në një atraksion përtej Kosovës, një atraksion ndërkombëtar për shkak të potencialit dhe pozitës gjeografike që e ka”, ka shtuar Osmani.

Ndërsa kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se ndihet i kënaqur për vizitën që presidentja Osmani i bëri qytetit të Pejës.

“Patëm kënaqësi ta kemi sot në vizitë presidenten Osmani. Diskutuam hapur për të gjitha problemet që i përmendi edhe presidentja. Jam shumë falënderues që në ditën e 1 Qershorit ka zgjedhur ta vizitojë Pejën”, ka thënë Muhaxheri.

Ajo ndër të tjera ka komentuar tërheqjen e mundshme të parave nga Trusti deri në 30 për qind.

“Ky siç e dini është vendim i Kuvendit të Kosovës. Presidenca e Republikës nuk e merr atë vendim. Ajo çka dua t’i inkurajoj deputetët e Kuvendit të Kosovës është që të marrin një vendim që mbron interesin afatgjatë të qytetarëve të Republikës sonë", tha Osmani.

"Deputeti duhet të ndihet i lirë për të marrë vendim në interes të popullit, andaj të kontribuojmë të gjithë bashkërisht në këtë drejtim që deputeti të ndihet i lirë pavarësisht se cilës parti i takon dhe ta ketë për bazë edhe ekspertizën që jepen nga institucionet vendore e ndërkombëtare”, u shpreh ajo.

E pyetur për mundësinë që Kosova të ketë zgjedhje të reja, presidentja Osmani tha se duke parë stabilitetin politik dhe bashkëpunimin e fuqishëm me shtetet mike nuk e sheh që në një kohë të afërt të ketë zgjedhje Kosova.

“Sinqerisht nuk kam dëgjuar zëra të tillë ndoshta për shkak se shoh një stabilitet politik në Kosovë, të cilin nuk e kemi parë që një kohë të gjatë, stabilitet që dëshmohet jo vetëm në numrat në Kuvend, por edhe në projektet afatgjate të cilët janë duke u planifikuar në bashkëpunimin ndërmjet dikastereve qeveritare për t’i shtyrë përpara. Shoh një partneritet shumë të fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe shteteve mike filluar nga SHBA-ja e shtetet e Bashkimit Evropian. Kur i shoh këto të gjitha bashkërisht, nuk shoh që një gjë e tillë është afër”, theksoi Osmani.

Osmani: Fëmijët duhet të mbrohen, të mbështeten, të edukohen, të shkëlqejnë (E plotësuar ora: 11:40)

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar fëmijët në Kosovë, por edhe në mbarë botën në 1 Qershorin- Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Osmani nëpërmjet një postimi në Twitter, ka thënë që fëmijët janë e ardhmja dhe pasuria jonë kombëtare.

“Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, të gjithë fëmijëve në Kosovë dhe në mbarë botën. Ju vazhdoni të na frymëzoni çdo ditë dhe jeni dhurata më e madhe nga të gjitha. Ju jeni e ardhmja dhe pasuria jonë kombëtare”, ka shkruar Osmani.

“Të gjithë fëmijët duhet të mbrohen, të mbështeten, të edukohen dhe t’u jepet mundësia për të shkëlqyer”, ka shtuar ajo.

 

Osmani, rrugës për Pejë, i uron fëmijët për 1 qershorin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një videomesazhi të dhënë sot gjatë rrugës për në Pejë,  ka folur rreth vizitës që do ta realizojë sot në këtë qytet në kuadër të vizitave nëpër komuna që ka nisur që disa javë.

Osmani tha se do të ketë një agjendë të ngjeshur. Ajo fillimisht do të takohet me kryetarin e komunës, Gazmend Muhaxheri.

“Në Pejë do ta kemi një agjendë shumë të ngjeshur. Fillimisht do ta kemi një takim me kryetarin Gazmend Muhaxheri, me të cilin do të flasim për shumë tema që kanë të bëjnë me interesin e qytetarëve të Pejës, mbi të gjitha mbi atë sesi qyteti i Pejës mund ta rrisë potencialin e vet në kontekst të turizmit, si një ndër qytetet më të bukura të Kosovës”, shtoi ajo.

Osmani nëpërmjet këtij videomesazhi i ka uruar edhe fëmijët për 1 Qershorin - Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.

“Sot, siç e dini, është Dita e Fëmijëve. Dua t’i uroj të gjithë më të dashurit tanë, pjesën më të bukur dhe potencialin më të madh të shoqërisë sonë, dhe për këtë arsye do të kemi edhe shumë aktivitete me kryetarin e komunës, me fëmijët, përfshirë fëmijët me nevoja të veçanta dhe do ta vizitojmë shkollën 8 Marsi”, u shpreh ajo derisa shtoi se të gjithë mund të japin kontribut në mbështetje të fëmijëve.

Pas vizitës në Pejë, Osmani tha se do t’u drejtohet sërish qytetarëve për ta shpalosur rrjedhën e vizitës.

Ndiqeni më poshtë videomesazhin e plotë:


MË SHUME NGA Lajme