Vendimet e sotme të Qeverisë dhe deklarimet e kryeministrit Kurti
BKT
Foto: Arben Llapashtica/RTK
Lajme

Vendimet e sotme të Qeverisë dhe deklarimet e kryeministrit Kurti

Jeton Musliu / RTKlive

Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e radhës. Aty u fol për shumë çështje por edhe u morën disa vendim. Gjithashtu, kryeministri Kurti, bëri edhe disa deklarata të cilat mund të kenë ndikim në zhvillimet politike dhe ekonomike në ditët që vijnë.

RTKlive sjell të gjitha vendimet që mori sot Qeveria e Kosovës e ato janë:

Lugina e Preshevës

- Qeveria e Kosovës sot ka ndarë 50 mijë euro ndihmë për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se kjo ishte një kërkesë e Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

KRU “Prishtina” e “Mitrovica”

 - Qeveria e Kosovës  ka emëruar Bordin e ri të Drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” dhe të asaj “Mitrovica”. Të emëruarit në këto borde, mandatin do ta kenë tre vjet. Në krye të Bordit të KRU “Prishtina” është  Teuta Ukshini – Ali kurse në atë të KRU “Mitrovica” është Kumrije Kelmendi – Aliu.

Skema sociale

- Qeveria ka ndarë mbi 6 milionë euro për përfituesit e skemave sociale në vend. Ekzekutivi vendosi që atyre t’u dyfishohen ndihmat e ofruara nga buxheti aktual, për dy muaj rresht.

Memorial për fëmijët e vrarë në luftë

-Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Qeveria  themeloi Komisionin Ministror për Memorialin për Fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë. Anëtarë të këtij komisioni do të jenë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati si dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Fondi Sovran

-Qeveria shqyrtoi edhe draft-dokumentin për Fondin Sovran. Në mbledhjen e 81-të të Qeverisë Kurti është miratuar drafti i koncept-dokumentit për themelimin e këtij instituti.Fondi do t’i vë në dispozicion 200 milionë euro për investime në ndërmarrje të reja në sektorë të caktuar të industrisë.

Mbledhje e përbashkët e qeverive

-Në fund të qershorit do të mbahet mbledhja e radhës e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë. Kryeministri kërkoi nga ministrat që të kenë me prioritet çështjet që lidhen me marrëveshjet ndërshtetërore. Ka kërkuar nga ta që draft-marrëveshjet t’i kenë të gatshme deri më 10 qershor. Mbledhja e ardhshme e përbashkët do të mbahet në Kosovë.

Gjatë mbledhjes së qeverisë, por  edhe pas saj, kryeministri Albin Kurti bëri edhe disa deklarime të tjera sa i përket zhvillimeve të fundit në vend, si në aspektin politik ashtu edhe atë ekonomik. RTKlive sjell citate të kryeministrit për temat e ndryshme.

Tërheqja e parave nga Trusti

-“Nuk duhet të lejohet tërheqja e parave të tjera nga Trusti Pensional. Nga mbi 630 mijë llogari të hapura në Trustin Pensional të Kosovës, 92 për qind e tyre kanë të akumuluara më pak se 10 mijë euro. Në opinion po ngjallen panik të paqenë dhe Fondi nuk mund të zbrazet”.

Rryma në veri 

- “Kemi trashëguar një gjendje të rëndë, ku nuk pas faturim për energjinë në veri. Nuk dëshirojmë një rajon të tërë ta shkëputim nga energjia, nuk dëshirojmë të krijojmë pretekst për Serbinë të zgjerohet në Kosovë për kinse humanitetin e tyre. Jemi pranë arritjes së asaj marrëveshje. Por është e qartë se nuk mund të vazhdojë pafundësisht”.

Gjykata Speciale 

- “Kam konsideruar është më e rëndësishme për fazën që e kalojmë sa i përket Speciales, se nuk është e lëvdueshme për nga transparenca e saj, të kontaktoj, komunikoj e diskutoj me avokatët e luftëtarëve të UÇK-së që janë në Hagë e po mbahen atje me paraburgim të stërzgjatur. Mbase edhe mund t’i vizitoj”.

Bisedimet për targat 

-“ Për targat, çfarëdo zgjidhje tjetër të ketë, parimin e reciprocitetit ne themel të vetin, patjetër që do ta ketë”.

Dialogu me Serbinë

“Qeveria e PAN-it pati punuar diçka në një draft-statut për Asociacionin. Por, nuk e kam shumë parasysh përmbajtjen e atij draft-statuti. Ne i mbështetemi interesave të Republikës së Kosovës dhe letrave të presidentit Biden e sekretarit Blinken, që e vënë në qendër të marrëveshjes së ardhshme mes Kosovës e Serbisë, njohjen reciproke. E ka thënë presidenti Biden e sekretari Blinken. S’besoj se duhet të ketë një qytetar në Kosovë që kërkesën për Kosovën e ka më të ulët sesa presidenti Biden e sekretari Blinken. Ju lutem duajeni Kosovën së paku sa e do Amerika”.

Deklarimet e raportuesës Von Cramon 

“Pyetjeve për Von Cramonin, duhet bërë asaj. Ajo ka fol për kompromis, të tregojë për çfarë e ka fjalën. Njohja reciproke është në qendër të marrëveshjes. Nuk them se në marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë gjë tjetër veç njohjes reciproke. Njohja është në qendër e jo kompromisi. S’do të ketë kompromis në qendër. Pa u pranuar qendra për çfarë kompromisi po flasim”.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe 

“Kushtetutshmëria e Kosovës nuk toleron Asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë Asociacion mbi baza zhvillimore, por jo mbi baza etnike. Po i pyete gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim të etnisë e fesë, askush nuk e ka prioritet një Asociacion të tillë. Të gjithë duan vende pune, drejtësi, shkollim e shëndetësi. Duan luftim të korrupsionit. Për këtë Qeveria jonë është e gjithë qytetarëve, jo vetëm e shqiptarëve. I pranojmë kërkesat e ndryshme, i mbrojmë të drejtat e të gjithëve”.


MË SHUME NGA Lajme