Pacolli nga Athina: Pala greke ka interesim të shtuar për Kosovën
Muharrem Miftari/RTKLive
Delegacioni i Përhershëm i Kuvendit së Kosovës, i udhëhequr nga kryetari Glauk Konjufca, është duke marrë pjesë në punimet e Sesionit të nëntë Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (AP e SEECP/PBEJL-së), i cili po mbahet më 1-2 qershor 2022 në Parlamentin e Greqisë, në Athinë.
Gjatë takimeve të ditës së parë të punës, delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës u përfaqësua edhe nga deputetja Fitore Pacolli Dalipi, anëtare e Komisionit të Përhershëm Qendror.
Ajo, në një bisedë për RTK, bëri të ditur se Kosova do të kryesojë dy komisionet e përgjithshme të Asamblesë: Komisionin e Përgjithshëm për Drejtësi, Çështje të Brendshme dhe Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë, si dhe Komisionin e Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, Kërkim dhe Shkencë.
Deputetja Pacolli, lidhur me këtë takim, mes tjerash, njoftoi Kosova është bërë anëtare e kësaj organizate që nga 2015-ta dhe ka marrë kryesimin më 2019.
“Rëndësi ka se këto takime mbahen edhe në Kosovë dhe do të jemi ne që do t’i draftojmë dhe zgjedhim temat që i përshtaten Kosovës, por edhe rajonit, ku mund të diskutojmë në takime multilaterale, që të ecim tutje në integrime evropiane”, tha deputetja Pacolli për RTK
Ajo më tej theksoi se pritja nga kolegët grekë ishte shumë e ngrohtë dhe miqësorë, që, sipas saj, kjo vërehet me takimet formale e joformale me homologët grekë.
Ndërkaq lidhur me mundësinë e njohjes së shtetit të Kosovës nga ana greke, ajo theksoi se ka një interesim të shtuar për Kosovën, por që nuk mund të thuhet diçka konkrete në njohjen e shtetit tonë nga pala greke.























